14 marsi nuk përfaqëson vetëm Ditën e Verës, por edhe lindjen e një prej gjenive të botës.
Albert Ajnshtajn ka lindur në Ulm të Gjermanisë më 14 mars të vitit 1879, në një familje hebrenjsh.
Kur ai ka mbushur pesë vjeç i ati i ka dhënë një busull, e cila menjëherë i ka krijuar Albertit një interes për gjilpërën magnetike dhe fenomenet natyrore që shkaktonin lëvizjen e saj në të njëjtin drejtim. I ati i ka shpjeguar atij se ajo shkaktohej nga fusha magnetike dhe forca e rëndesës.
Për jetën e tij në vitet e fëmijërisë, Albert Ajnshtajn ka treguar se nuk e ka pasur me qejf shkollimin. Metoda mësimore, ku nxënësve nuk u ishte lejuar të bënin pyetje, e ka bërë atë të ndihej si i burgosur. Teoria më e rëndësishme e tij është ajo e relativitetit.
Ajnshtajni ka shpjeguar se drita lëviz gjithmonë me të njëjtën shpejtësi, pavarësisht nga burimi i saj. Ai ka shtuar se koha dhe masa mund të ndryshojnë dhe varen nga vendndodhja e një njeriu ne raport me një objekt apo një ngjarje.
Ajnshtajn ka botuar në vitin 1905 veprën e tij më të rëndësishme dhe një nga dokumentet më të rëndësishme shkencore në histori të titulluar “Teoria e Relativitetit”.
Dhjetë vjet më pas, ai ka botuar një vëllim të zgjeruar të kësaj vepre me titullin “Teoria e Përgjithshme e Relativitetit”, që përfshin ide themelore, që përdoren për të përshkruar fenomene natyrore lidhur me kohën, hapësirën, masën, lëvizjen dhe forcën e rëndesës.
Më pas Ajnshtajni fitoi çmimin Nobel në Fizikë në vitin 1921 për zbulimin e ligjit të efektit fotoelektrik.
Ky ligj shkencor shpjegon përse disa metale emetojnë elektrone kur mbi sipërfaqen e tyre bie drita. Ky zbulim ka çuar në zhvillimin e elektronikës, përfshirë edhe radion apo televizionin.
Albert Ajnshtajn ndërroi jetë në moshën 76-vjeçare më 18 prill të vitit 1955 në SHBA.
Top Channel