Presidenti Biden miraton projektin e debatueshëm për shpime nafte në Alaskë

13/03/2023 20:20

Administrata e Joe Biden tha të hënën se po miraton projektin e madh të naftës ‘Willow’ në Alaska, shtet i pasur me naftë, një nga vendimet më të rëndësishme mjedisore të Presidentit Joe Biden. Vendimi është kritikuar ashpër nga ambientalistët të cilët thonë se ai bie ndesh me premtimet zgjedhore të presidentit demokrat.

Njoftimi u bë një ditë pasi administrata e zotit Biden tha se do të ndalonte ose kufizonte shpimet në disa zona të tjera të Alaskës dhe Oqeanit Arktik.

Plani Willow i presidentit Biden do të lejonte fillimisht tre zona shpimi, të cilat zhvilluesi i projektit “ConocoPhillips” me seli në Hjuston të Teksasit ka thënë se do të përfshinin rreth 219 puse gjithsej. Një vend i katërt shpimi i propozuar për projektin do të refuzohej. Kompania ka thënë se e konsideron të zbatueshëm opsionin me tre vende.

Aktivistët e mjedisit janë zemëruar që zoti Biden i hapi rrugë projektit, për të cilin ata thanë se rrezikon trashëgiminë e vendimeve miqësore ndaj mjedisit të presidencës së zotit Biden. Lejimi i kompanisë së naftës ConocoPhillips për të vazhduar me planin e shpimit do të thyente gjithashtu premtimin e fushatës së presidentit Biden për të ndaluar shpimet e reja të naftës në tokat publike, thonë ata.

Vendimi i administratës nuk ka të ngjarë të jetë fjala e fundit, me një proces gjyqësor që pritet të iniciohet nga grupet mjedisore.

Projekti Willow i “ConocoPhillips Alaska” mund të prodhojë deri në 180,000 fuçi naftë në ditë, të krijojë deri në 2,500 vende pune gjatë ndërtimit dhe 300 vende pune afatgjata, dhe të gjenerojë miliarda dollarë në të ardhura nga taksat për qeveritë federale, shtetërore dhe lokale, siç njofton kompania.

Projekti, i vendosur në Rezervën Kombëtare të Naftës në Alaska, vendndodhje i caktuar nga qeveria federale, gëzon mbështetje të gjerë politike në shtet. Ligjvënësit e shtetit të Alaskës u takuan kohët e fundit me Sekretaren e Brendshme Deb Haaland për të kërkuar mbështetje për projektin Willow.

Por aktivistët mjedisorë kanë promovuar fushatën “#StopWillow” në rrjetet sociale, duke kërkuar t’i kujtojnë presidentit Biden premtimet e tij për të reduktuar emetimet e gazeve serrë që ngrohin planetin dhe për të promovuar energjinë e pastër.

Christy Goldfuss, ish-zyrtare e Shtëpisë së Bardhë të presidentit Obama, e cila tani është shefe e politikave në Këshillin e Mbrojtjes së Burimeve Natyrore (NRDC), tha se ishte “thellësisht e zhgënjyer” nga vendimi i presidentit Biden.

“Ky vendim është i keq për klimën, i keq për mjedisin dhe i keq për komunitetet vendase të Alaskës që e kundërshtojnë këtë dhe mendojnë se zëri i tyre nuk u dëgjua”, tha zonja Goldfuss.

Duke parashikuar këtë reagim nga grupet mjedisore, Shtëpia e Bardhë njoftoi të dielën se presidenti Biden do të parandalojë ose kufizojë shpimet e naftës në 16 milionë hektarë në Alaskë dhe në Oqeanin Arktik. Plani do të ndalonte shpimet në gati 3 milionë hektarë të detit Beaufort duke e mbyllur atë për kërkim të naftës dhe do të kufizonte shpimet në më shumë se 13 milionë hektarë në Rezervën Kombëtare të Naftës.

Vendimi siguron që habitati i rëndësishëm për balenat, fokat, arinjtë polarë dhe kafshë të tjera të egra “do të mbrohen përgjithmonë nga shpimet”, tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë.

Senatorët republikanë të Alaskës paralajmëruan se çdo kufizim i mëtejshëm mund ta shkatërrojë projektin, duke e bërë atë joekonomik.

Delegacioni dypartiak i Kongresit të Alaskës u takua me presidentin Biden dhe këshilltarët e tij në fillim të marsit për të mbrojtur projektin, ndërsa grupet mjedisore iu kërkuan kundërshtarëve të projektit të ushtrojnë presion mbi administratën.

Kryetarja e bashkisë së qytetit të Nuiqsutit, Rosemary Ahtuangaruak, komuniteti i së cilës prej rreth 525 banorësh është më afër projektit të propozuar, është shprehur zëshëm kundër, e shqetësuar për ndikimet në stilin e jetesës së banorëve të saj. Këshilli Fisnor i Naqsragmiut, një tjetër komunitet afër shpimeve, ngriti gjithashtu shqetësime për projektin.

Por në rajonin e projektit megjithatë ka “konsensus të shumicës” që e mbështet atë, tha Nagruk Harcharek, president i grupit “Voice of the Arktic Iñupiat”, anëtarët e të cilit përfshijnë udhëheqës nga pjesa më e madhe e atij rajoni.

Abigail Dillen, presidente e grupit mjedisor “Earthjustice”, përshëndeti planin e ri të ruajtjes, por tha nëse administrata e presidentit Biden beson se ka autoritet të kufizojë shpimet për naftë në rezervën e tij, zyrtarët duhet t’i zgjerojnë ato mbrojtje në zonën e projektit “Willow”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA