Moska: Pajtohemi për zgjatjen për 60 ditë të marrëveshjes për drithërat

13/03/2023 21:00

Moska nuk e kundërshton zgjatjen e marrëveshjes që lejon eksportin e sigurt të drithërave nga portet ukrainase në Detin e Zi, por do të pajtohet që kjo zgjatje të jetë në kohëzgjatje prej 60 ditësh, tha zëvendësministri rus për Punë të Jashtme, Sergei Vershinin.

Ky afat kohor është përgjysmë më i shkurtër sesa marrëveshja paraprake.

Vershinin i bëri këto komente pas bisedimeve të zhvilluara me zyrtarët e Kombeve të Bashkuara në Gjenevë.

Nisma për drithërat në Detin e Zi, e arritur mes Rusisë dhe Ukrainës nën ndërmjetësimin e OKB-së dhe Turqisë korrikun e kaluar, synon të ndalë krizën ushqimore globale duke lejuar eksportin e drithërave ukrainase nga tri porte të Ukrainës.

Marrëveshja, që u zgjat për 120 ditë nëntorin e kaluar, duhet të shqyrtohet sërish më 18 mars.

Në një deklaratë pas bisedimeve me zyrtaren për tregti të OKB-së, Rebeca Grynspan, dhe shefin për ndihma, Martin Griffiths, Vershinin tha se pavarësisht “bisedimeve të sinqerta dhe gjithëpërfshirëse”, Rusia theksoi se kufizimet ndaj eksporteve të saj të agrikulturës vazhdojnë të jenë të vendosura.

Rusia është pajtuar se, edhe pse eksportet e agrikulturës nuk janë shënjestruar specifikisht nga Perëndimi, sanksionet e vendosura për pagesat, logjistikën dhe sektorë të tjerë kanë krijuar barriera për Moskën që të eksportojë drithërat e saj.

Rusia “nuk kundërshton një zgjatje tjetër të nismës së Detit të Zi, pas të përfundojë zgjatja e dytë më 18 mars, por vetëm për 60 ditë”, tha Vershinin.

Zyrtarët ukrainas nuk kanë dashur të komentojnë këto deklarata.

Më herët Moska kishte sinjalizuar se do të pajtohej për zgjatjen e marrëveshjes, nëse hiqen kufizimet e vendosura ndaj eksporteve të saj. Por, shumë diplomatë dhe zyrtarë të lartë, përfshirë ministrin turk të Mbrojtjes, Hulusi Akar, kanë thënë para bisedimeve se janë optimistë se do të ketë pajtim për zgjatjen e marrëveshjes./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA