Britania tha se Kina paraqet “sfidë” për rendin botëror, teksa u prezantua korniza e re e politikës së jashtme të shtetit, ku gjithashtu u tha se siguria e Mbretërisë së Bashkuar varet nga rezultati i luftës në Ukrainë.
Përditësimi i planit të Britanisë për sigurinë dhe politikën ndërkombëtare, që u publikua më 13 mars, paralajmëroi për thellimin e partneritetit të Kinës me Rusinë dhe bashkëpunimin në rritje të Moskës me Iranit, pas pushtimit të Ukrainës.
Në dokumentin e quajtur Rishikimi i Integruar përforcoi pozicionin ndaj Pekinit dhe Moskës, të para dy vjetëve, kur u publikua për herë të parë.
Por, vendimi për të mos e cilësuar Kinën si kërcënim ka të ngjarë që të zhgënjejë shumë në Partinë Konservatore të kryeministrit britanik, Rishi Sunak. Zërat brenda kësaj partie kanë thënë se premtimi i Sunakut për të shpenzuar 6 miliardë dollarë shtesë për mbrojtjen është i pamjaftueshëm për të mbështetur Ukrainën, pa lënë Britaninë të pambrojtur.
“Ajo çfarë nuk u parashikua plotësisht më 2021 ishte ritmi i ndryshimit gjeopolitik dhe shtrirja e ndikimit të tij në Mbretërinë e Bashkuar”, shkroi Sunak lidhur me këtë dokument.
“Që atëherë, pushtimi i paligjshëm rus i Ukrainës, përdorimi i energjisë si armë, i furnizimeve ushqimore dhe retorika e papërgjegjshme bërthamore, e kombinuar me qëndrimin më agresiv të Kinës në Detin e Kinës së Jugut dhe në Ngushticën e Tajvanit, janë kërcënime për të krijuar një botë të definuar nga rreziku, çrregullimi dhe ndarja”.
Në dokumentin e përditësuar, u përmend edhe marrëveshja mes Britanisë, Shtetet e Bashkuara dhe Australisë për fushën e mbrojtjes.
Britania do të shpenzojë 3 miliardë funte shtesë për të çuar përpara projektet, përfshirë edhe ndihmën për Australinë për të ndërtuar nëndetëse bërthamore.
Kur u publikua për herë të parë më 2021, Rishikimi i Integruar e përshkruante Kinën si një “konkurrente sistematike”.
Në dokumentin e përditësuar thuhet se “Kina nën drejtimin e Partisë Komuniste kineze paraqet një sfidë sistematike, me implikime për pothuajse çdo politikë qeveritare dhe për popullin britanik”.
Përderisa në dokument u tha se tensionet në Indo-Paqësor “mund të kenë pasoja globale më të mëdha sesa konflikti në Ukrainë”, Britania tha se Rusia vazhdon të jetë kërcënimi më akut.
“Ajo që ka ndryshuar është se siguria jonë kolektive tani është thellësisht e lidhur me rezultatin e konfliktit në Ukrainë”, u tha në dokument.
Britania dhe shtetet perëndimore kanë rritur ndihmën e tyre ushtarake për Ukrainën, me premtimin se këtë vit do t’i japin më shumë tanke dhe makina të blinduara, por edhe armë me rreze të gjatë veprimi.
Britania po ashtu ka shprehur shqetësim lidhur me mbështetjen për Rusinë që ofrojnë Kina dhe Irani.
“Partneriteti në rritje i Kinës me Rusinë dhe bashkëpunimi në rritje i Rusisë me Irani pas pushtimit të Ukrainës, janë dy zhvillime shumë shqetësuese”, u tha në dokument.
Sipas politikës së re, Britania do të japë edhe 2 miliardë funde shtesë për të ndihmuar Ministrinë e Mbrojtjes për të zëvendësuar armët që ka dërguar në Ukrainë.
Top Channel