Samiti Dypartiak në Uashington/ Mbështetje për rezistencën dhe revolucionin e Iranit

12/03/2023 21:24

Të shtunën u mbajt një samit dypartiak në Uashington, në solidaritet me kryengritjen mbarëkombëtare të Iranit dhe përpjekjen e popullit iranian për të krijuar një republikë demokratike, laike dhe jobërthamore.

Në këtë event morën pjesë disa politikanë të njohur amerikanë, përfshirë ish-zëvendës presidentin Mike Pence. Eventi i së shtunës dhe folësit e tij shprehën mbështetjen e tyre të plotë për rezistencën e organizuar të popullit iranian, duke përfshirë Organizatën e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (PMOI/MEK) dhe koalicionin e saj mëmë, Këshillin Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI). Panelistët i bënë jehonë zërit të iranianëve të cilët refuzojnë çdo lloj tiranie duke thirrur, “vdekje tiranit, qoftë Shahu apo mullahët”, si dhe hodhën poshtë nocionin e rremë të rikthimit të diktaturës së rrëzuar Pahlavi në Iran.

Folësja kryesore e kësaj konference ishte znj. Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e NCRI-së. Duke iu referuar rolit drejtues të MEK në këtë kryengritje, zonja Rajavi tha: “Regjimi nuk ka hezituar kurrë të përdorë të ashtuquajturit kundërshtarë të tij për t’iu kundërvënë armikut të tij kryesor, MEK-ut. Kjo sepse regjimi e sheh MEK si motorin e kryengritjes dhe rrëzimit të tij nga pushteti.”

“Në këtë kontekst, regjimi kërkon të errësojë alternativën demokratike duke promovuar mbetjet e regjimit të mëparshëm, që nuk është asgjë tjetër veçse një “kalim” nga regjimi aktual në regjimin e mëparshëm”, shtoi ajo.

Ndërsa iu referua rezultatit katastrofik të politikës së paqësimit të Perëndimit ndaj Teheranit, zonja Rajavi nënvizoi se “hallka që mungon në politikën perëndimore është përjashtimi që ajo i bën popullit iranian dhe Rezistencës së tij nga ekuacioni në Iran. Kjo ka efekte të dëmshme jo vetëm për popullin e Iranit, por edhe për rajonin dhe botën”.

Në fjalët e tij, ish-zëvendëspresidenti i SHBA-së, Mike Pence, mbështeti qëllimin e popullit iranian për të krijuar një republikë laike, demokratike, jo-bërthamore iraniane, fuqitë e të cilës burojnë nga pëlqimi i të qeverisurve.

“E di që flas në emër të dhjetëra miliona amerikanëve të të dyja partive politike dhe të çdo filozofie politike, kur them nga zemra se populli amerikan mbështet qëllimin tuaj për të krijuar një republikë laike, demokratike, jo-bërthamore iraniane, fuqitë e të cilës burojnë nga pëlqimi i të qeverisurve”, tha ai.

Duke u shprehur kundër politikës së paqësimit, zëvendëspresidenti Pence hodhi poshtë idenë e një marrëveshjeje bërthamore të rinovuar me Iranin, duke deklaruar se ajo nuk do sillte paqe dhe stabilitet, por përkundrazi më shumë terrorizëm, vdekje, shkatërrim dhe destabilizimin e rajonit.

“Paqësimi asnjëherë nuk ka funksionuar dhe asnjëherë nuk do të funksionojë. Një marrëveshje bërthamore e rinovuar nuk do të sjellë paqe dhe stabilitet. Do të sjellë më shumë terrorizëm, vdekje dhe shkatërrim dhe do të destabilizojë rajonin. Një marrëveshje e rinovuar nuk do ta bllokojë rrugën e Iranit drejt një bombe bërthamore. Një marrëveshje bërthamore e rinovuar nuk do t’i sjellë dobi popullit të Iranit në asnjë mënyrë, trajtë apo formë”, tha Pence, duke shtuar se “Paqja është e mundur vetëm me forcë”.

Pence i bëri thirrje administratës Biden të ndërpresë të gjitha përpjekjet në mbështetje të negociatave bërthamore me Teheranin dhe të qëndrojë përkrah popullit të Iranit.

Zëvendëspresidenti i 48-të i SHBA-së dhe Guvernator i Indiana-s hodhi poshtë nocionin e rikthimit të monarkisë së rrëzuar në Iran dhe të mospasjes së një alternative ndaj teokracisë në pushtet. “Një nga gënjeshtrat më të mëdha të regjimit në pushtet ndaj botës është se nuk ka alternativë për status quo-në. Por ju dini që kjo nuk është e vërtetë. Ekziston një alternativë, një alternativë e mirëorganizuar, plotësisht e përgatitur, e kualifikuar në mënyrë perfekte, e mbështetur gjerësisht. Dhe dua të falënderoj Maryam Rajavin për udhëheqjen e saj të jashtëzakonshme dhe frymëzimin për botën, “tha ai.

“Regjimi duhet ta dijë se ne nuk gënjehemi nga reformatorët e rremë dhe kukullat e regjimit që pretendojnë se janë të moderuar. Ne e dimë se shumë prej këtyre të ashtuquajturve reformatorë nuk ofrojnë asgjë më shumë se shpresë të rreme dhe iluzionin e ndryshimit. Populli i Iranit dëshiron ndryshim të vërtetë dhe ndryshimi i vërtetë është pikërisht ajo që ofron MEK”, shtoi zoti Pence.

Pence vlerësoi lëvizjen e rezistencës në Iran, për të cilën ai beson se është një revolucion në zhvillim e sipër. Ai gjithashtu mbështeti planin prej dhjetë pikash të Maryam Rajavit për të ardhmen e Iranit, i cili do të siguronte lirinë e shprehjes, tubimit, fesë dhe të drejtën për të zgjedhur vetë udhëheqësit e tyre. Pence u bëri thirrje të gjitha kombeve të lira që të mbështesin popullin iranian në thirrjet e tyre për liri. “Plani me dhjetë pika i Maryam Rajavit për të ardhmen e Iranit do të sigurojë lirinë e shprehjes, lirinë e tubimit, lirinë e fesë dhe lirinë e çdo iraniani për të zgjedhur vetë udhëheqësit e tyre”.

Folësi i radhës për audiencën ishte Gjenerali Wesley Clark, ish-Shef i Shtabit të Ushtrisë Amerikane. Ai shprehu mbështetjen e tij për MEK, duke deklaruar se ata janë një forcë jetike për lirinë dhe demokracinë, jo vetëm në Iran, por edhe si një shembull i gjallë në mbarë botën.

“Për vite me radhë, MEK i rezistoi Ajatollahut nga bazat në Irak, dhe më pas ju u gjendët në mes të konfliktit midis Sadamit dhe Shteteve të Bashkuara dhe u deshën më shumë vite për ta sqaruar këtë. Tani ju jeni vendosur në Shqipëri, jeni vendosur në mënyrë të sigurt atje dhe jeni një forcë jetike për lirinë dhe demokracinë. Dhe jo vetëm në Iran. Ju jeni një shembull, një shembull i gjallë në mbarë botën”, tha ai.

Ai nënvizoi se revolucioni tashmë po zhvillohet në Iran, me shtimin e protestave të vendosura popullore dhe se mbretërimit të ajatollahëve po i vjen fundi. Gjenerali Clark vlerësoi gjithashtu planin me dhjetë pika të zonjës Rajavi, për të cilin beson se mban çelësin për një Iran paqësor dhe të begatë. “Revolucioni tashmë po zhvillohet, hap pas hapi, me shtimin e protestave të vendosura popullore. Një program popullor, demokratik, laik, i shpallur dhe i ofruar në 100 kanale të ndryshme nga zonja Rajavi dhe liderë të guximshëm studentorë”, tha ai në lidhje me këtë plan.

Folësi tjetër, guvernatori Gary Locke, ish-sekretar i Tregtisë dhe ambasador i SHBA-së në Kinë, i kërkoi komunitetit ndërkombëtar që ta trajtojë Teheranin “si shteti i padëshiruar që është”.

“Komuniteti ndërkombëtar duhet të jetë përkrah popullit iranian në luftën e tij historike dhe heroike për liri dhe demokraci. Organet ndërkombëtare, nga OKB-ja e deri te Gjykata Botërore, duhet t’i mbajnë udhëheqësit e regjimit përgjegjës për dekada krime kundër njerëzimit“, tha ai.

Guvernatori Locke hodhi poshtë gjithashtu konceptin e kthimit të diktaturës së rrëzuar Pahlavi. “Revolucioni që ju po mbështesni ka të bëjë me vendosjen e demokracisë dhe lirisë në Iran. Nuk ka lidhje me kthimin në ditët e errëta dhe brutale të monarkisë diktatoriale të Shahut. Populli i Iranit ka paguar një çmim të rëndë në rezistencën e tij kundër dy diktaturave, regjimit aktual dhe Shahut”, tha ai.

Guvernatori Sam Brownback, ish-guvernator i Kansasit, iu bashkua gjithashtu kolegëve të tij në mbështetjen e kërkesës së popullit iranian për demokraci, duke thënë se “Populli iranian mundet dhe do t’i rrëzojë sundimtarët e tij. Këtë gjë po bëjnë tani. Unë lutem për suksesin e popullit të Iranit që t’i japë fund kësaj nate tiranie dhe të jetë i lirë.”

Ish-senatori amerikan Robert Torricelli nënvizoi se çmimi i rëndë që anëtarët e MEK dhe iranianët kanë paguar në luftën e tyre për liri nuk është më kot dhe askush nuk mund të përfitojë prej tij pa qenë pjesë e kësaj lufte prej katër dekadash.

“E kam parë këtë situatë edhe më parë. Treni nis të largohet nga stacioni, drejt fitores. Dhe teksa largohet, njerëzit përpiqen të kapen pas tij. E kuptoj. E kuptoj. Kini kujdes. Të gjithë janë të mirëpritur në këtë kauzë, të gjithë, iranianë dhe jo-iranianë. E shkuara është e shkuar. Ne po ecim përpara. Por nuk do të këmbejmë një teokraci me një tjetër kleptokraci”, tha ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA