Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se beson se marrëveshja bazë mes Kosovës dhe Serbisë është një avancim drejt njohjes së ndërsjellë mes dy shteteve.
“Besojmë se normalizimi i plotë i marrëdhënieve kërkon një njohje të ndërsjellë në qendër të marrëveshjes, si dhe respektim për të drejtat e minoriteteve në të dy shtetet”, tha ai në një video-mesazh të dërguar në edicionin e 11-të të Forumit të Mannheimit, organizuar nga iniciativa e studentëve të Universitetit Mannheim në Gjermani, i cili u publikua nga Qeveria e Kosovës më 12 mars.
Më 27 shkurt në Bruksel, palët u pajtuan për propozimin e BE-së, të titulluar “Marrëveshje drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”.
Kurti deklaroi pas takimit se ai ishte i gatshëm të nënshkruante këtë marrëveshje menjëherë, por presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç nuk ishte i gatshëm.
“Shpresoj që refuzimi i Serbisë për të nënshkruar propozimin në Bruksel nuk është indikacion se ajo nuk pajtohet me përmbajtjen. Çdo ditë ne demonstrojmë kreativitetin e konstruktivitetin tonë”, tha Kurti.
Vuçiç deklaruar gjithashtu se ai vërtet nuk ka dashur ta nënshkruajë këtë marrëveshje. Ai ka folur më shumë për planin e implementimit.
Më 2 mars, një zyrtar i Bashkimit Evropian, gjatë një takimi me gazetarë tha se Kurti propozoi që dokumenti të nënshkruhet, por përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, bëri të qartë se BE-ja nuk e ka menduar kështu takimin, sepse sipas tij, marrëveshja duhet të përfshijë edhe aneksin me afatet kohore për implementimin e saj.
Sipas tij, Kosova dhe Serbia duhet t’i nënshkruajnë si dokumente të pandara propozimin evropian dhe aneksin ose planin e zbatimit.
Dokumenti prej 11 nenesh – që u bë publik nga BE-ja – nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë, që Qeveria e Kosovës ka thënë se duhet të jetë në qendër të një marrëveshjeje eventuale për normalizim të raporteve.
Megjithatë, në nenin 2 të propozimit thuhet se palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës. Propozimi, po ashtu, përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.
Rundi i ri i dialogut është caktuar të mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, dhe sipas BE-së, qëllimi kryesor tani është që palët të arrijnë pajtim rreth një plani si dhe modaliteteve për zbatimin e propozimit evropian.
Që nga viti 2011, Kosova dhe Serbia zhvillojnë negociata për arritjen e normalizimit të plotë të raporteve nën ndërmjetësimin e BE-së.
Top Channel