E kaluara dhe e ardhmja e nismës kineze “Një brez një rrugë”

11/03/2023 18:53

Më 2013 Kina rriti shpenzimet e saj, pas propozimit të udhëheqësit Xi Jinping për krijimin e asaj që ai e quajti nisma “Një Brez Një Rrugë”, një projekt që parasheh investime infrastrukturore në vende në zhvillim. Gjatë 10 viteve të fundit koncepti ka ndryshuar. Vëzhguesit thonë se strategjia e Kinës për zgjerimin e ndikimit global mund të jetë duke hyrë në një fazë të re.

Përmes nismës “Një brez një rrugë”, Kina po shtrin ndikimin e saj në botë duke financuar projekte në vende të largëta si hidrocentrali në Ekuador dhe hekurudha për trena të shpejtë në Laos.

Por çfarë në të vërtetë është nisma “Një brez një rrugë”?

“Ideja pas nismës ‘Një brez një rrugë’ është forcimi i lidhjeve midis Kinës me jugun e globit. Pjesa më e madhe e financimeve përmes kësaj nisme ka shkuar në sektorë të infrastrukturës si transporti, energjia, miniera dhe projekte të këtij lloji. Por tani Kina po e zgjeron nismën fillestare me programe kulturore, bursa arsimore, institutet Konfuci dhe të tjera”, thotë Ammar Malik, ekspert për programet kineze të zhvillimit.

Ai është hulumtues në qendrën AidData, një laborator kërkimor në universitetin “William & Mary” që mbledh informacione mbi financat e projekteve zhvillimore të Kinës në mbarë botën.

Të dhënat tregojnë se gjatë 20 viteve të fundit, Kina është huadhënësi më i madh i shumë vendeve në zhvillim.

Nisma “Një brez një rrugë” i ka rrënjët në një kohë të paqëndrueshme të ekonomisë globale, thotë Min Ye, një ekspert i ekonomisë politike kineze në Universitetin e Bostonit.
“Historia tregon se kjo nismë filloi me krizën globale financiare të vitit 2008, kur tregu botëror po tkurrej. Kina investoi shumë në ndërtimin e këtyre kompanive, rrugëve, urave, fabrikave për të prodhuar çimento, çelik, pajisje elektrike – pra gjithçka. Pastaj lindi një nevojë tjetër. Ata filluan të kenë shumë fabrika që kishin tejkaluar prodhimin. Në vitet 2011-2012 mbiprodhimi në Kinë ishte rreth 30 deri në 80 për qind, varësisht nga sektori. Kur Xi Jinping erdhi në pushtet më 2012, Kina ishte në krizë të thellë”, thotë Min Ye, eksperte e ekonomisë politike të Kinës.

Më pas, në nëntor të vitit 2013, Presidenti Xi nisi atë që tani njihet si nisma “Një brez një rrugë”.

“Kur filloi kjo nismë, ishte magjepsëse të shihje rregullatorët industrialë, bizneset, qeveritë vendore që nxitonin të shfrytëzonin mundësinë për të investuar jashtë vendit dhe për të eksportuar”, thotë ekspertja Min Ye.
“Nisma nuk është një entitet. Nuk është një linjë buxhetore në shpenzimet e qeverisë kineze. Është një koncept. Është ombrellë e shumë entiteteve që ofrojnë projekte në sektorë të ndryshëm në mbarë botën. Kina po ndërton pjesën më të madhe të infrastrukturës në botë – duke përfshirë urat, tunelet, hekurudhat për trenat e shpejtë. Kina ka krijuar një ekosistem të ndërmarrjeve shtetërore dhe institucioneve financiare, që kanë aftësi për të ndërtuar rreth botës”, thotë eksperti Ammar Malik.

“Është më shumë si një strategji e globalizimit të Kinës dhe një mënyrë për të globalizuar bizneset dhe organizatat kineze. Vendet, veçanërisht në jug të globit, kanë nevojë reale për infrastrukturë, mallra dhe lidhje me Kinën, kështu që kjo është më shumë si një nismë globale sesa një nismë për Kinën”, thotë zonja Min Ye.

Shumë vende përfituan nga projektet e nismës “Një brez një rrugë”.

Më 2016 presidenti i atëhershëm i Ekuadorit, Rafael Correa festoi mbylljen e punimeve në një hidrocentral të ndërtuar nga Kina.

“Ne përuruam infrastrukturën më të madhe të ndërtuar ndonjëherë në këtë vend, hidrocentralin Coca Codo Sinclair, me fuqi prej 1500 MW që mund të sigurojë energji për të gjitha shtëpitë e Ekuadorit”, tha në fjalimin e tij më 18 nëntor të vitit 2016 zoti Correa.

Kina financoi një projekt tjetër në Indonezi… një tren të shpejtë.

“Normalisht duhen deri 4 orë, por me trenin e shpejtë, shpresojmë që rruga të shkurtohet në 1 deri 2 orë”, thotë Achmad Rasyad, banor i Indonezisë.

Por disa projekte të nismës kineze kishin edhe anë negative për vendet përfituese.

Në Ekuador, u shfaqën mijëra çarje në hidrocentral, gjë që shqetësoi inxhinierët, edhe pse Kina thotë se hidrocentrali është testuar nga një agjenci e tretë dhe se është i sigurtë.

Ankesa pati edhe tek hekurudha e trenit të shpejtë në Indonezi.

“Gjatë procesit të ndërtimit janë përdorur teknika shpërthimi që dëmtojnë shtëpitë e njerëzve”, thotë Meiki Paendong, aktivist mjedisor.

“Kjo vërtet më shqetëson. Nëse lëkundet dhe bie çatia”, thotë banori Heru Sutanto.

Ashtu sikur në shumë projekte infrastrukutore, do të ketë fitues dhe humbës thotë eksperti Malik.

“Nëse jetoni pranë një autostrade dhe nuk keni makinë, ose keni të ardhura të ulëta dhe nuk keni mundësi ta shfrytëzoni atë hekurudhë, mund ta vlerësoni ndryshe projektin në lagjen tuaj”, thotë ai.

Vëzhguesit e Kinës thonë se një dekadë pas fillimit të zbatimit të projektit “Një brez një rrugë” dhe pandemisë, Pekini mund të rikalibrohet.

“Shumë ekspertë e quajnë këtë nisma 2.0 dhe është e qartë për ne se koha e parave të lehta me norma të ulëta interesi dhe projekteve të mëdha mund të ketë përfunduar”, thotë zoti Malik.

“Gjatë tre viteve të fundit pandemia ishte pengesë për shumë gjëra. Mendoj se arsyeja kryesore ishte se Kina e kuptoi se ka shumë sfida para vetes dhe një Pekin që mbivlerësoi aftësitë për të zbatuar një program që nuk ishte përcaktuar ose artikuluar shumë qartë në fillim”, thotë Hong Zhang, eksperte e Politikave Publike të Kinës.

“Kina sot është huadhënësi më i madh në botë, sepse për shumë hua që janë dhënë gjatë pesë viteve të para të nismës, tani është koha e kthimit të parave. Ata po e kuptojnë se shumë nga projektet nuk janë aq komerciale sa mendonin se mund të ishin”, thotë zoti Malik.

“Kina do të vazhdojë me projekte infrastrukturore. Ndoshta jo me investime në shkallë të gjerë në zona të veçanta ekonomike si Porti Gwadar në Pakistan. Por do të kryejnë shumë investime në termocentrale”, thotë ekspertja Min Ye.

“Për Kinën, motivi për të nisur programin ‘Një brez një rrugë” ishte krjimi i kushteve të reja në një konflikt të mundshëm me Shtetet e Bashkuara. Duke kryer këto investime, duke treguar një lloj aktivizmi në këto fronte, Pekini do të bindë Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë tjera se Kina është ambicioze. Kina ka ambicie për të rishkruar ose riformuar rendin global. Kjo mund intensifikojë konfliktet”, thotë ekspertja Hong Zhang.

Nisma “Një brez një rrugë” ka zgjeruar ndikimin e Kinës në botë.

Ndikimi i Pekinit në botë ka ndryshuar mënyrën se si Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tij e shohin Kinën.

Disa zyrtarë paralajmërojnë se Kina është një kërcënim dhe se më nuk është një eksportues i mallrave të lira.

“Evropa papritur e kuptoi se Kina shkoi atje dhe po blinte infrastrukturën kritike strategjike. Kjo ndryshoi pikëpamjen e tyre për Kinën”, thotë Karen Donfried, Ndihmës-Sekretare amerikane e Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë.

“Nuk mendoj se do ta ndihmojë Kinën të bëhet një udhëheqëse globale sikur ka ndodhur me Shtetet e Bashkuara ose Britaninë e Madhe. Kjo sepse ekonomia kineze vazhdon të ketë një orientim të brendshëm. Angazhimi i Kinës në këtë nismë varet nga përfitimet që ajo sjell për Kinën”, thotë ekspertja Min Ye.

“Ashtu si fuqitë e tjera të mëdha, Kina është e prirur të zgjerojë ndikimin e saj global. Ata do të donin të krijonin marrëdhënie afatgjata të qëndrueshme me elitat e vendeve në zhvillim. Ata po hapin dyert e universiteteve të tyre për studentë të huaj si kurrë më parë dhe kanë shumë gjasa të angazhohen në shkëmbime kulturore për të fituar opinionin publik ndaj Kinës”, thotë zoti Malik.

Ndërsa Pekini hap rrugën drejt një epoke me Kinën si një nga fuqitë më të mëdha në botë./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA