Peruja i kthen Italisë monedhat romake: Iu gjetën një gruaje në aeroport

10/03/2023 12:33

Peruja i ktheu Italisë një koleksion prej 73 monedhash romake, disa prej të cilave datojnë nga shekulli i dytë dhe i katërt.

Kthimi u bë në ambasadën italiane në kryeqytetin Lima. Monedhat i ishin sekuestruar një gruaje peruane në vitin 2021 në aeroportin ndërkombëtar të Cuscos, një qendër e rëndësishme turistike kjo dhe portë drejt kështjellës së famshme inkasë të Machu Picchu.

Zëvendësministri i Jashtëm i Perusë, Ignacio Higueras, u tha gazetarëve se koleksioni i 73 monedhave “është pjesë e trashëgimisë italiane”, dhe duhet t’i shkojë palës të cilës i takon.

“Koleksioni përbëhët nga 42 monedha të vyera të epokës perandorake romake të shekujve të dytë dhe të katërt. Monedhat e tjera ishin të periudhës mesjetare, të Rilindjes dhe Bizantit në Itali, çka bën që i gjithë koleksioni në vetvete të ketë më shumë se 1000 vjet histori”, tha ai.

Gazetarëve iu treguan një sërë monedhash argjendi, disa me profilin e një qytetari romak, të tjera vetëm me shkronja. Koloneli italian Lanfranco D’sibio nënvizoi se monedhat në fjalë kanë vlerë të madhe historike dhe kulturore, ndërsa vlerësoi lart bashkëpunimin ndërkombëtar në “luftën kundër trafikimit të paligjshëm të pasurive kulturore”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA