Shpërthim në Afganistan/ Guvernatori taleban vritet në zyrën e tij

09/03/2023 15:11

Guvernatori taleban i provincës veriore të Afganistanit Balkh është vrarë në një shpërthim në zyrën e tij.

Shpërthimi ndodhi rreth orës 9 të mëngjesit, brenda katit të dytë të zyrës së guvernatorit, tha policia ndërsa shkaku i shpërthimit është i paqartë.

Mohammad Dawood Muzammil është zyrtari më i lartë që është vrarë që kur talebanët u kthyen në pushtet në vitin 2021. Dhuna që atëherë është ulur ndjeshëm, por figura të shquara pro-talebane dhe të tjerë janë vrarë në një varg sulmesh, për të cilat shumë prej tyre ka marrë përsipër Shteti Islamik.

Muzammil raportohet të ketë udhëhequr luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik në postin e tij të mëparshëm si guvernator i provincës lindore të Nangarharit. Ai u transferua në Balkh tetorin e kaluar.

Policia tha se të paktën një person tjetër gjithashtu vdiq në sulm. Raportohet se kanë mbetur të plagosur të tjerë. Shpërthimi ndodhi menjëherë pasi guvernatori mbërriti në zyrën e tij.

Një ditë më parë, autoritetet provinciale talebane pretenduan se kishin vrarë tetë “rebelë dhe rrëmbyes” në Mazar-e Sharif, kryeqyteti i Balkh. Megjithatë, ata nuk specifikuan se cilit grup “rebel” dyshohet se këta individë ishin të lidhur.

Talibanët u rrëzuan si sundimtarë të Afganistanit në vitin 2001 – grupi militant islamik u rikthye në pushtet në gusht 2021 pasi forcat e udhëhequra nga SHBA u tërhoqën.

Një varg shpërthimesh bombash vdekjeprurëse që atëherë kanë shënjestruar kryesisht xhamitë dhe komunitetet pakicë, shumë të pretenduara nga dega rajonale e grupit militant Shteti Islamik (IS-K) , të cilët janë rivalë të ashpër të talebanëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA