Maqedonia e Veriut mori ndihmën prej 80 milionë euro nga Bashkimi Evropian për të përballuar krizën energjitike.
Ky fond do të shërbejë si ndihmë për konsumatorët familjarë, shkollat, kompanitë publike lidhur me shpenzimet e energjisë elektrike, përkatësisht për përballjen me masat anti-krizë të cilat do t’i ndërmarrë qeveria në Shkup.
Paketën prej 80 milionë euro e njoftoi Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen gjatë një vizite në tetorin e vitit të kaluar në Shkup.
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, David Geer tha se kjo paketë ndihme flet për premtimet dhe solidaritetin e BE-së jo vetëm për vendet anëtare të Bllokut por edhe ato të ardhshme “si vlerë e prekshme themelore”.
Ndihma është në kuadër të fondit prej një miliard euro që BE-ja ka premtuar për vendet e Ballkanit Perëndimor në mënyrë që popullësia e rajonit të përballojë problemet e shkaktuara nga kriza energjetike.
Autoritetet maqedonase janë shprehur mirënjohëse për premtimin e mbajtur të BE-së. Kryeministri Dimitar Kovaçevski bëri të ditur se qeveria ka parashikuar një shumë prej 225 milionë euro nga buxheti i saj për vitin 2023 për menaxhimin e krizës energjetike. Ai tha në një konferencë shtypi se qeveria e tij arriti të mundësojë furnizimin e qëndrueshëm me energji elektrike për konsumatorët familjarë dhe bizneset dhe bëri rritjen e prodhimit të kapacitetit vendor.
Zëvendës-kryeministri Bojan Mariçiç, i ngarkuar me Çështjet e Integrimit Evropian, tha se “kjo është më tepër se sa mbështetje financiare që ndihmon përshpejtimin e transformimit të shoqërisë dhe përgatitjen e Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në familjen evropiane”.
Autoritetet maqedonase synojnë rritjen e efikasitetit energjetik të objekteve shëndetësore në pjesën më të madhe të qyteteve dhe përforcimin e rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike në disa rajone të vendit me prodhimin e “energjisë së gjelbër”.
Kriza energjitike sikur se edhe në shkallë globale, ka ndikuar në ekonominë e Maqedonisë së Veriut. Vendi importon një pjesë të madhe të energjisë për nevojat e brendshme. Kriza ka bërë që të rriten çmimet jo vetëm të energjisë elektrike dhe gazit por edhe çmimet e produkteve ushqimore.
Top Channel