Londra zyrtare e ka analizuar me shumë kujdes videon e vizitës së ministrit rus të Mbrojtjes në Ukrainë, të cilën e konsideron shumë domethënëse.
“Në 4 shkurt, ministria ruse e Mbrojtjes publikoi videon e vizitës së rrallë në Ukrainë të kreut të saj, Sergei Shoigu. Ekziston një mundësi reale që një lëvizje e tillë të jetë kundërpërgjigje ndaj videos së fundit të kreut të grupit mercenar rus Wagner, Yevgeny Prigozhin, i cili vizitoi luftëtarët në vijën e parë të frontit”, thonë britanikët, të cilët besojnë se Wagner dhe ushtria e rregullt janë përfshirë në një konflikt mes tyre.
Shoigu, sipas inteligjencës angleze, nuk duron dot ta krahasojnë me Prigozhinin. Interesant konsiderohet fakti që i vetmi komandant rus nga terreni që u shfaq në video ishte gjeneral-lejtnant Rustam Muradov.
“Është domethënëse që Muradov është përgjegjës për Vuhledarin në rajonin e Donetskut, ku disa sulme kanë dështuar në tre muajt e fundit”, thuhet në raport.
Sipas britanikëve, rusët janë në dilemë nëse duhet të tentojnë një sulm tjetër në Vuhledar ose të mbështesin luftimet intensive më në veri pranë Bakhmutit dhe Kreminës.
Moska i ka intensifikuar operacionet në mbarë pjesën jugore dhe lindore të Ukrainës dhe kërkoi që përpara njëvjetorit të nisjes së pushtimit, të niste një offensive madhore atje.
Top Channel