Muzetë e Vatikanit kanë ranë dakord t’i kthejnë Greqisë tre fragmente mermeri 2500-vjeçare të Partenonit.
Fragmentet e mbajtura nga Vatikani kanë qenë në koleksionet papale për më shumë se një shekull dhe Papa Françesku urdhëroi kthimin e tyre dhjetorin e kaluar duke ja dhuruar kreut të Kishës Ortodokse Greke Ieronymos, si një gjest i dialogut ekumenik me Kishën Katolike të Romës.
Përfaqësuesi i kryepeshkopit grek dhe ministrja greke e Kulturës që u ndodhën në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes e kanë quajtur gjestin e Papës “historik”.
“Ati i Shenjtë, Papa Françesku, duke dashur të japë një shenjë konkrete të vazhdimit të rrugës ekumenike dhe të rrugës së dëshmimit të së vërtetës, i jep nëpërmjet Presidentit të Guvernatorit të Shtetit të Vatikanit, Eminencës së Tij Kardinalit Fernando Vergez Alzaga, Kishës Ortodokse të Greqisë në personin e Kryepeshkopit të Athinës dhe gjithë Greqisë, Fortlumturisë së tij Ieronymos , i përfaqësuar tani nga prezbiteri i nderuar Emmanouil Papamikroulis, fragmentet e Partenonit të përshkruara dhe të përfaqësuara nga materiali fotografik dhe të ruajtura deri më sot në Muzetë e Vatikanit”, tha kardinali Fernando Vergez Alzaga.
Sipas faqes së internetit të Muzeut të Vatikanit, fragmentet e mermerit që i kthehen Greqisë janë koka e kalit që tërhiqte karrocat e garave me katër kuaj të Athinës në anën perëndimore të ndërtesës, koka e një djali dhe koka e një mashkulli me mjekër.
Përfaqësuesit grekë thanë se gjesti duhet të përbëjë një shembull për të tjerët ,duke ju referuar koleksionit të skulpturave të Partenonit që mbahet nga Britania, në një moment kur Londra dhe Athina kanë hyrë në bisedime për kthimin e koleksionit në fjalë të Muzeut Britanik , i njohur si Mermeret Elgin.
Top Channel