Pas 15 vite negociatash dhe në vazhdën e një seancë maratonë 40 orëshe, OKB-ja vendosi për traktatin për mbrojtjen e diversitetit biologjik të deteve të hapura.
Detet e hapura zgjojnë interesin ekonomik, ato mund të jenë minierë ari për zbulime ilaçesh apo lëndë plastike, thonë ekspertët. Bashkësia ndërkombëtare debaton prej një dekade e gjysmë për mbrojtjen e deteve të hapura.
Si dete të hapura përcaktohen dy të tretat e deteve në botë që nuk janë zona ekskluzive ekonomike të një shteti, sepse janë 370 km larg brigjeve të një vendi. Deri tani mbrohen me marrëveshje vetëm 1% e deteve të hapura.
Qëllimi i bisedimeve ishte krijimi i premisave që deri në fund të kësaj dekade të paktën 30% e deteve të hapura në botë të shpallen të mbrojtur. Marrëveshja synon mbrojtjen e divesitetit biologjik jashtë ujërave territoriale në dete. Përveç kësaj do të përcaktohen rregullore për verifikimin e mjedisit para shfrytëzimit ekonomik, ekspeditave dhe aktiviteteve të tjera.
Problematike ishte në konferencë edhe një çështje tjetër, se si duhet të vendoset për zonat e mbrojtura detare jashtë ujërave territoriale, me shumicë apo me unanimitet. Sidomos Rusia kishte këmbëngulur për vendime unanime, gjë që i afrohej një vendosjeje të vetos.
Teksti i marrëveshjes përfundimtare për momentin, nuk është bërë publik, por sipas të dhënave të diplomatëve aty është shënuar, se vendimet duhet të merren me një shumicë prej tre të katërtash.
Top Channel