I dërguari i BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Mirosllav Lajçak ishte në Shkup ku u takua me zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Bojan Mariçiç, të cilin e falënderoi për mbështetjen e fuqishme për dialogun.
Në mesazhin që postoi në Twitter pas takimit, zyrtari i lartë europian përmendi dhe takimin me Albin Kurtin e Alaksander Vucicin në Ohër në 18 mars. “Pata një bisedë të shkëlqyer me zëvendëskryeministrin Bojan Mariçic. I jam mirënjohës Maqedonisë së Veriut për mbështetjen e saj të fortë për dialogun dhe mezi pres takimin e radhës të dialogut në Ohër më vonë këtë muaj. Diskutuam gjithashtu çështje me rëndësi thelbësore për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian”, ka shkruar Lajçak.
Në Ohër, bashkë me kryeministrin e Kosovës e presidentin serb, do të jetë edhe shefi I diplomacisë europiane, Joseph Borell. Kosova dhe Serbia kanë rërë dakord lidhur me planin e Bashkimit Evropian për marrëveshje gjatë takimit të Brukselit, por plani nuk është nënshkruar dhe në rrugën prej ujdisë deri në zbatimin e marrëveshjes priten edhe shumë pengesa.
Borrell nënvizoi në atë rast se palët ranë dakord që propozimi të jetë një bazë e qëndrueshme për një marrëveshje të përhershme. Dallimet u bënë të qarta menjëherë në deklaratat pas takimite më pas edhe pas kthimit të bashkëbiseduesve në vendet e tyre. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sapo dolën nga takimi me Borrellin, ku u dakorduan me dokumentin, dhanë deklarata me pikëpamje të ndryshme. Vuçiçi insistonte që asociacioni të jetë pika numër një e marrëveshjes, ndërsa Kurti thoshte se kjo çështje është vetëm një nga pikat e shumta.
Më pas Vuçiç dha një intervistë për mediat serbe ku tha se është i gatshëm të flasë për të gjitha, por jo për njohjen e shtetit të Kosovës dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB, të cilat I quajti sërish “vijat e kuqe”.
Top Channel