Pas mikut të Putinit, Oleg Deripaska, kryeministri Edi Rama është person i i dyti që ka përdorur privatisht fuqinë e FBI-së kundër rivalëve, duke u takuar me Charles Mcgonigal, tha deputeti demokrat Gazment Bardhi në Kuvend.
“Dy njerëz e kanë korruptuar zyrtarin e lartë të FBI-së, Deripaska dhe Rama. Pra, ish shefi i FBI, është sot në gjykim dhe pritet të dënohet për akuza që shkojnë deri në 20 vjet burg për shkak të raportit privat, të fshehtë, korruptiv që ka ndërtuar me dy individë: me oligarkun rus, njeriun e afërt të Putinit dhe me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, bashkë me 2 bashkëpunëtorë në këtë aferë, shqiptaro-amerikanin Agron Neza dhe këshilltarin privat të Edi Ramës, por me kredenciale qeveritare, Dorian Duçka”, tha Bardhi.
Fjala e plotë e Bardhit:
Si Kryeministër i Shqipërisë, ke kaluar çdo vijë të kuqe! Je përfshirë në aferën më të rëndë në këto 32 vite. Më e renda sepse ka brenda pasoja të shumëfishta.
Ka brenda korrupsionin, ka brenda paratë e pista, ka brenda intrigën, ka brenda trafikun e influencave, ka brenda abuzimin me pushtetin për të goditur kundërshtarin me mjete jo demokratike, ka brenda cënimin e sigurisë kombëtare, ka brenda cenimin e marrëdhënieve me partnerin tonë strategjik, SHBA, ka brenda turpërimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, ka brenda tentativën tënde për të diskretituar kredibilitetin e institucioneve të SHBA në Shqipëri, duke dëmtuar rëndë imazhin e mikut tonë të madh strategjik dhe aleatit në NATO, SHBA-së. Shkurt, është një pisllëk kriminal, që vetëm Edi Rama mund të kryejë.
Vetëm në kushtet e një pisllëku kriminal mund të ndodhë që Kryeministri i një vendi, nëpër restorante, në dreka e darka, në parkingjet e restoranteve, të organizojë, të nxisë, të ushtrojë ndikim të paligjshëm përmes trafikut të influencave financiare e politike, goditjen e partisë kundërshtare dhe lidershipit të saj. Për çfarë e bën këtë? Që ta përdorë hetimin e organizuar nga miku i tij i korruptuar si të vetmin argument kundër opozitës në vendin e tij. Ta përdorë rastin për politikë dite, duke harruar se dëmton vendin, bën pis Shqipërinë.
Vetëm në një pisllëk kriminal ndodh që Agron Neza, dëshmitari i rremë i Edi Ramës në hetimin e nxitur prej tij dhe të nisur nga miku i tij i korruptuar McGonigal, paguan të paktën 225 mijë dollarë në dorë, keshilltari i Edi Rames shpenzon mijëra dollarë të tjerë për të gjetur dëshmitar dhe për ti intervistuar nëpër Europë, dhe merr informacione nga zyra e Kryeministrit për këtë cështje. Por për për cfarë e bën Agron Neza këtë gjë? Për të goditur Partinë Demokratike? Kush përfitonte nga kjo? Agron Neza? Jo. Nga kjo përfitonte vetëm dhe vetëm Edi Rama.
Duke goditur Partinë Demokratike, duke i ofruar shqiptarëve për 3 vjet rresht telenovelën me rubla ruse, duke bërë rolin e zëdhënësit të FBI në Shqipëri, duke shpifur e sulmuar Partinë Demokratike në shqip e në anglisht, duke angazhuar paratë e korrupsionit për intriga e sajesa, përkohësisht ia dole të dëmtoje Partinë Demokratike dhe të zhvendosje vëmendjen nga keqqeverisja jote, nga aferat e tua, nga lidhjet e tua të shumëfishta kriminale e korruptive. Përkohësisht ia dole të fitosh pushtet me mjete jodemokratike.
Por në planin tënd kriminal nuk llogarite një detaj. SHBA nuk janë baçja e vilës tënde në Surrel, sistemi i drejtësisë atje nuk është sistemi që kontrollon ti këtu. SHBA nuk janë Shqipëria e rrënuar që ke ndërtuar ti këtu këto 10 vite. Dhe ja ku jemi sot, brenda ditës: nga paditës u shndërrove në të paditur, nga Kryeministër u shndërrove në të pandehur, nga zëdhënës i FBI-së në Tiranë u shndërrove në zëdhënësin e oligarkëve rusë në Tiranë, nga kryeministri i një vendi anëtar të NATO-s u shndërrove në njeriun që tradhton dhe godet pas shpine mikun dhe aleatin më të madh të vendit tënd në NATO.
Me pak fjalë, nga lideri global u shndërrove në korruptuesin global për të mbajtur me çdo mjet një pushtet që nuk të takon të paktën jo për 2 mandatet e fundit.
Kjo ditë do të vinte. Duhet të kishte ardhur shumë më shpejt, por ja ku jemi, erdhi sot. Ti do të marrësh atë që meriton! Ti, Edi Rama, do të vuash pasojat e akteve të tua kriminale, të korrupsionit tënd të pandalshëm. Dhe më beso! Këto nuk janë retorikë politike! Ti do të kesh pasoja!
Korruptimi me të paktën 225 mijë dollarë i një zyrtari të lartë të FBI-së për interesa kriminalë është një nga ato akte i cili as nuk mund të harrohet, as nuk mund të falet. As nga Shqipëria, as nga Amerika!
Jam i sigurt që Edi Rama shpreson që SHBA të fokusohen në hetimin e parë që e lidh mikun e tij të korruptuar të FBI-së me Rusinë dhe oligarkët e Putinit. Është e vërtetë që ky është shqetësimi primar edhe i drejtësisë amerikane për vetë gjendjen ku ndodhet bota sot, për luftën e pandërprerë që Putini i bën SHBA dhe Perëndimit. Por, po ashtu, sado e madhe, e rëndë dhe me rëndësi të jetë pjesa ruse e korruptimit të mikut të Edi Ramës, jam i sigurt se, sot që flasim, ka njerëz në drejtësinë amerikane që po përpiqen të nxjerrin çdo fakt të përfshirjes së kryeministrit të Shqipërisë në aferën e dosjes së pistë së FBI-së. Në konspiracionin që Edi Rama ka ngritur kundër Shteteve të Bashkuara me para të pista korrupsioni asgjë nuk mund të harrohet, asgjë nuk do të falet! Ky është rasti për të thënë me bindje se Edi Rama nuk do t’u shpëtojë pasojave të akteve të tij korruptive kundër demokracisë në Shqipëri dhe në Shtetet e Bashkuara.
Në qershor 2021 kur Presidenti Biden shpalli se lufta ndaj korrupsionit në vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë korrupsionit në Shqipëri, është prioritet i SHBA, sepse cenon sigurinë Kombëtare të SHBA-së, shumëkush habitej sesi ishin të lidhura të dyja këto çështje. Por në 24 Janar, secili prej nesh kuptoi që mjafton një Kryeministër i korruptuar në Shqipëri, që të depërtojë dhe të korruptojë një zyrtar të lartë të FBI në SHBA, duke vënë në rrezik sigurinë kombëtare të SHBA. Mjafton një kryeministër i korruptuar në Shqipëri që interesat ruse, apo individë të lidhur me interesa ruse, të sillen me detyrën e tyre, jo si amerikanë, por si rus, të sillen me detyrën e tyre jo si njerëz të drejtësisë apo shtetarë, por si mafiozë.
Në një rreth të mbyllur korruptiv, ekzaktësisht sikur të ishin një organizatë kriminale, Edi Rama përfitonte nga marrëdhënia me Mc Gonigal hetimin e rremë ndaj opozitës, për ta përdorur, sic e përdori politikisht në Shqipëri, McGonigal përfitonte valixhet me paratë e korrupsionit dhe interesa financiare që paguheshin përmes Agron Neza, ndërsa ky i fundit përfitonte firmën e Kryeministrit të Shqipërisë dhe qeverisë së tij për interesat e veta financiare.
Në periudhën 2017-2018 sipas vendimit të drejtësisë amerikane, miku i McGonigal shtetasi Agron Neza dhe këshilltari informal me kredenciale qeveritare i Edi Ramës shtetasi Dorian Ducka, kishte interesa financiare nga vendimmarrja e qeverisë në fushën e licencimit për nxjerrjen e naftës. Këtë e kishte në dorë Edi Rama, që ishte i gatshëm të ofonte gjithcka vetëm që miku i tij i korruptuar në FBI të godiste Partinë Demokratike dhe të kthehej në një armë në duart e pista të Edi Ramës.
Dhe kështu ndodhi. Në Mars-maj 2018, menjëherë pasi kishte dhënë 225 mijë dollarët dhe pasi zyrtari i lartë i FBI-së nisi hetimin që donte Edi Rama kundër lobistit të opozitës, kryeministri kreu një akti tjetër të paligjshëm dhe korruptiv. Kësaj radhe me vulën e qeverisë.
Në një tender të sajuar për dhënien me koncesion të vendburimeve Cakran-Mollaj, Gorisht-Kocul dhe Amonicë, shpall fitues kompaninë Terraoil Sëiss/Transoil Group, duke urdhëruar pajisjen me licencë marrëveshjeje të koncesionarit. Pronari i kësaj kompanie vetëm pak kohë më vonë, bëri aksioner mikun e Edi Ramës në FBI, McGonigal dhe bashkepunëtorin e tij Agron Neza, duke u shitur aksione për 3 dollarë.
Nuk ka rëndësi ligji në këtë rast, nuk ka rëndësi edhe që dëmi financiar që i bëhej shtetit shqiptar kapte shifrën e 300 milion dollarëve. Këtë nuk e them unë, këtë e thotë ky VENDIM I GJYKATËS ADMINISTRATIVE, që evidenton në detaje sesi Qeveria e Edi Ramës shkeli ligjin, i shkakton shtetit 300 milion dollarë dëm, vetëm e vetëm që miku i korruptuar i Edi Ramës, McGonigal dhe individë të lidhur me të si Agron Neza, të përfitonin atë që kishin kërkuar pas ndereve të pista që i kishin bërë Edi Ramës në Amerikë.
Vetëm në një pisllëk kriminal ndodh që Kryeministri i një vendi anëtar në NATO, aleat me SHBA-të, të korruptojë një zyrtar të lartë amerikan dhe të vendosë pasuritë e vendit në shërbim të korrupsionit të tij.
Vetëm në një pisllëk kriminal ndodh që ndërsa përbetohesh për partneritet me SHBA-në, për rubla ruse, vetëm 2 javë pasi Departamenti i Thesarit i SHBA saksionon oligarkun rus, mik të Putinit, ti i jep atij një investim strategjik në vlerën e 7 milion eurove.
Edi Rama e di më mirë se kushdo se kur organizon një krim, herët a vonë do të vuash edhe pasojat. Ky krim nuk kalon me qeshje dhe nënqeshje! Nuk e kalon me të pavërteta e justifikime të trasha këtë që ke bërë. Ke kryer aktin më të rëndë që nuk ka guxuar askush tjetër në botë ta kryejë. Ke korruptuar një zyrtar të lartë amerikan dhe je korruptuar prej tij. Ke shndërruar zyrën e Kryeministrit dhe pushtetin që buron prej tij, si paradhomë të interesave ruse, të interesave kriminale dhe korruptive. Ke përdorur zyrën e Kryeministrit për të goditur me mjete jodemokratike opozitën.
Sot si shqiptar ke vetëm një detyrim: krimin që ke kryer, turpin që ke kryer, mbaje vetëm për vete. Mos ia ngarko edhe këtë në shpinë shqiptarëve dhe Shqipërisë. Boll kanë vuajtur shqiptarët dhe Shqipëria nga lidhjet e tua kriminale. Dorëhiqu dhe vendosu në dispozicion të drejtësisë amerikane dhe shqiptare. Boll u kape me thonj pas karriges së Kryeministrit. Boll u fshehe pas pushtetit politik në Shqipëri dhe imunitetit diplomatik në SHBA. Ato nuk vlejnë përjetësisht dhe nuk mund të fshihesh përjetësisht pas tyre.
Top Channel