Prej vitesh, Kina ka investuar në infrastrukturë kritike në Europë. Megjithatë, ndalimi që iu bë së fundi në Danimarkë shitjes së koncernit të njohur Maersk një firme kineze, pas një presioni të madh nga SHBA-ja e Gjermani, u kthye në dëshminë më të qartë të faktit se klima gjeopolitike është duke ndryshuar.
Po të kishte realizuar këtë blerje, thotë DW, Kina do të kishte kontrolluar 90% të tregut global të kontejnerëve ftohës. Në jug të Danimarkës ndërtoheshin dikur me shumicë kontejnerë të tillë për transportin detar, por kjo industri atje së fundi është zbehur shumë, pasi një pjesë e madhe e prodhimit është transferuar në Kinë.
Investimet kineze në Bashkimin Europian po kontrollohen tani me shumë vëmendje, siç ndodh në portin e Hamburgut. Pak kohë më parë, koncerni kinez i ndërtimit të anijeve, Cosko, hyri si aksioner në një terminal.
Në të gjithë bllokun, llogaritet se 10 % e kapacitetit të porteve, janë në duart e Pekinit. Mosbesimi ndaj lëvizjeve të Kinës po shtohet në botë, çka u pa qartë edhe nga rritja e numrit të vendeve që kanë vënë kufizimeve ndaj rrjetit TikTok.
Këtë javë Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja lëshuan urdhra për ndalimin e përdorimit të rrjetit TikTok një pajisjet qeveritare, ndërsa janë shtuar shqetësimet për sigurinë kibernetike dhe privatësinë që paraqet aplikacioni i ndarjes së videove, edhe pse TikTok, në pronësi të kompanisë kineze Bytedance, insiston se nuk ndan të dhëna me qeverinë kineze dhe se informacionet e saj nuk ruhen në Kinë.
Përveç SHBA-së e Kanadasë, përdorimin e TikTok dhe disa aplikacioneve të tjera kineze përfshirë atë të mesazheve WeChat, sidomos në sektorin publik e ka ndaluar dhe India, Tajvani, BE-ja e Pakistani.
Top Channel