Marsi është Dita Botërore e Diskriminimit Zero.
Të diskriminosh do të thotë ta paragjykosh tjetrin për një sërë arsyesh, se është i varfër p.sh., nuk ka mundësi të blejë rroba apo celular të mirë, për shkak të arsimit, besimit, moshës, përkatësisë etnike identitetit gjinor, e deri tek pasha trupore.
Në këtë ditë kemi ardhur në shkollën 9-vjeçare “Konferenca e Pezës”, një shkollë me 600 nxënës, në kryeqytet.
“Shkolla ka strategji dhe një sërë aktivitetesh, që synojnë ndërgjegjësimin dhe zbehjen e fenomenit të diskriminimit. Di të them që ndër vite në shkolla ka një rënie të diskriminimit. Diskriminimi ka lidhje me paragjykimet dhe shfaqet me një sjellje, që do të thotë një nxënës apo një grup nxënësish, nëse diskriminojnë kanë disa paragjykime që e kanë origjinën që në familje apo në mjedisin përreth, por ama shfaqen në shkollë me veprime të tilla si lënie mënjanë, mosshoqërim, mbase tallje, fyerje e në raste të rralla mund të precipitojnë në dhunë.
Më shpesh hasen forma diskriminimi mbi bazën e statusit social dhe ekonomik, mbi bazën e karakteristikave personale, në mënyrë sporadike janë vënë re edhe forma diskriminimi që kanë lidhje me identitetin gjinor.
Të jesh i diskriminuar lë shenja, ka pasoja. Nëse një person bëhet viktimë e diskriminimit, ai ka potencial të shfaqë sjellje të rënduara psikologjike në të ardhmen, që mund të kenë lidhje me ankthin, depresionin, me simptomatologji të traumës etj. Ndaj është shumë e rëndësishme parandalimi që këto fenomene të mos ngjasin, por edhe të ndërhyhet në kohën e duhur.”- tha Marta Bej, Psikologe në shkollën 9-vjeçare “Konferenca e Pezës.
Top Channel