8.000 euro për person mendohet të kenë marrë kontrabandistët e përfshirë në tragjedinë e pak ditëve më parë, kur një anije me emigrant u fundos pranë brigjeve të Italisë.
Bilanci i viktimave ka mbërritur në 65, dhe gjatë hetimeve, ka dalë në dritë dhe shifra e çmendur që duhet të paguajnë njerëzit e dëshpëruar për të ndërmarrë “udhëtimin e vdekjes” nga Turqia drejt Italisë.
Autoritetet i kanë dhënë më shumë kohë procesit të identifikimit të trupave, teksa familjarë e miq kanë mbërritur në Krotone të Kalabrisë, me shpresën të gjejnë më të dashurit e tyre, disa prej të cilëve janë nga Afganistani. Disa ankohen për mungesë informacionesh dhe ndihen të pashpresë e thonë se nuk dijnë cfarë të bëjnë. Një grup njerëzish u mblodh përpara një qendre sportive të kthyer në një morg të improvizuar, ku kanë çuar lule e kanë ndezur qirinj duke i bërë kështu respektet e fundit atyre që humbën jetën në këtë fatkeqësi.
“Të gjithë erdhën këtu të ndezin një qiri dhe të sjellin lule për viktimat, keqardhja është e jashtëzakonshme. Ne shkojmë në këtë plazh çdo verë. Ky është një kujtim i hidhur që do të mbeten me banorët e Cutros kudo që ata të shkojnë. Të mendosh se mes atyre jetëve të humbura kishte edhe fëmijë të vegjël, edhe shumë të rinj”, tha Daniela Brugnano, një banore.
Mes 65 viktimave kishte 14 të mitur, ata nuk mbijetuan dot pasi anija prej druri, e stërmbushur me njerëz, me të cilën po udhëtonin hasi në një cekëtinë 100 metra larg bregdetit në Kruto dhe u dëmtua ndjeshëm nga dallgët. 80 persona shpëtuan, por mendohet se ka edhe mjaft të zhdukur pasi në bordin e anijes mund të ketë pasur mbi 170 vetë kur u nis javën e kaluar nga Izmiri i Turqisë.
Top Channel