Kanadaja ka thënë se do të ndalojë përdorimin e aplikacionit TikTok në të gjitha pajisjet qeveritare, duke nisur nga dita e martë.
Ky vendim vjen pas një rishikimi që i kanë bërë këtij aplikacioni zyrtarë qeveritarë për informacion.
Qeveria kanadeze ka thënë përmes një deklarate se ky aplikacion “paraqet nivel të pashembullt të rrezikut për privatësinë dhe sigurinë”.
Përfaqësues të TikTok-ut kanë thënë se kompania është e zhgënjyer me këtë vendim. Ky vendim vjen disa ditë pasi edhe Komisioni Evropian e ka prezantuar një ndalesë të ngjashme.
Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, ka thënë se ekzistojnë mjaftueshëm shqetësime për sigurinë e këtij aplikacioni.
“Ky mund të jetë hapi i parë, ky mund të jetë hapi i vetëm që na duhet ta marrim”, ka thënë ai në një konferencë për media në Toronto.
TikTok-u është kritikuar edhe në të kaluarën për përdorimin e informacionit personal, dhe për lidhjet me Qeverinë kineze.
Ky aplikacion i formatit me video të shkurtra është në pronësi të kompanisë kineze, ByteDance.
Punëtorëve federalë në Shtetet e Bashkuara u është ndaluar përdorimi i TikTok-ut vitin e kaluar.
Shtëpia e Bardhë ka thënë më 27 shkurt se agjencitë qeveritare kanë 30 ditë kohë për ta fshirë aplikacionin nga të gjitha sistemet.
Edhe një numër i universiteteve amerikane e kanë ndaluar përdorimin e aplikacionit prej rrjeteve të veta. Ndalesa më të mëdha publike janë zbatuar në Indi dhe në disa shtete aziatike.
Vetë zyrtarë të TikTok-ut insistojnë se Qeveria kineze nuk ka qasje në të dhëna, dhe se një version kinez i aplikacionit funksionon ndaras prej atij që përdoret në pjesën tjetër të botës.
Megjithatë, ata e kanë pranuar vitin e kaluar se një pjesë e stafit në Kinë mund të ketë qasje në të dhënat e përdoruesve në Evropë./ Radio Evropa e Lirë
Top Channel