Le të analizojmë konkretisht popullsinë e fshatit ku jetojnë dy pensionistët për të kuptuar problemin e madh që shtrihet në shkallë kombëtare.
Në Jazxhijas jetojnë diçka më shumë se 400 persona. Numri i pensionistëve është 58. Kurse popullsia në moshë pune nga 16-65 vjeç janë 86 persona për një pensionist.
Raporti duhet të jetë 4 të punësuar për 1 pensionistë që skema të jetë e shëndoshë dhe mos të rrezikohet. Por në fakt situata është edhe më e komplikuar nga sa duket. Në skemën e bujkut në fshatin që po analizojmë janë të regjistruar vetëm 8 persona.
Pra, raporti përmbyset dhe ata 58 pensionistë janë fare të pambuluar nga kontributorët. Këtu qëndron thelbi i krizës dhe situata është e njëjtë në të gjithë Shqipërinë. Në mungesë të kontributorëve hyn në lojë buxheti i shtetit që në nivel kombëtar ndihmon skemën e pensioneve me mbi 350 milionë euro. Këto janë para të munguara që do të duhej të vinin nga kontributet.
Jazxhiasi jeton vetëm me bujqësi dhe ashtu si shumë fshatra të tjerë, banorët e mbetur kryesisht janë të moshuarit.
Skema e pensioneve të fshatit mbetet më problematikja. Pas 10 vitesh fermerët që kanë punuar pas 90”ës në bujqësi dhe nuk kanë plotësuar kontributet shoqërore, rrezikojnë të mbeten pa pension.
Por, si funksionon skema e e fshatit?
Të vetëpunësuarit në sektorin bujqësor e kanë detyrim ligjor që të paguajnë një shumë fikse në bazë të pagës minimale.
Shumat fikse janë të ndara sipas zonave malore dhe fushore. Në zonat malore përfshihen të vetëpunësuarit në bujqësi, që banojnë dhe ushtrojnë aktivitetin e tyre në Bulqizë, Dibër, Gramsh, Has, Kolonjë, Kukës, Librazhd, Malësi e Madhe, Mat, Mirditë, Pukë, Skrapar, Tepelenë dhe Tropojë.
Në zonat fushore përfshihen të vetëpunësuarit në bujqësi, në rrethet Berat, Kuçovë, Durrës, Krujë, Elbasan, Peqin, Fier, Lushnjë, Mallakastër, Gjirokastër, Përmet, Korçë, Pogradec, Devoll, Lezhë, Laç, Shkodër, Tiranë, Kavajë, Vlorë, Sarandë dhe Delvinë.
Për zonat fushore, totali i kontributeve për një të vetpunësuar shkon 38 mijë e 400 lekë. Ndërkohë, për ata në zonat malore kontributet shkojnë në 29 mijë e 400 lekë në vit.
Për të kryer sigurimin për periudha të kaluara, pagesa aplikohet kundrejt kamatëvonesave përkatëse.
“Skema për fermerët është pjesë e skemës së përgjithshme të sigurimeve shoqërore dhe me reformën e 2014 i zhdukëm dallimet mes skemës urbane dhe skemës rurale. Kemi vetëm një skemë për të gjithë qytetarët e Shqipërisë dhe diferenca është në pagën që marrin. Sasinë e kontributeve që paguajnë. Skema është e leverdisshme; një nënë e re që i jep jetë një fëmije dhe paguan kontribut të sigurimeve shoqërore për një vit 400 mijë të vjetra, në vitin e parë nga barrëlindja merr 1 mln lekë të vjetra”, u shpreh Astrit Hado, Kreu i ISSH
Por fermerët nuk e shohin me leverdi skemën e pensioneve për fshatin. Ndarja është pasojë e ekzistencës së dy sistemeve të veçanta që nga viti 1967 dhe diferencave lidhur me kontributet e derdhura.
Ish-anëtarët e kooperativave bujqësore, kanë derdhur kontribute në masë shumë më të vogël se sa të vetëpunësuarit në qytet. Për rrjedhojë, edhe formula e përllogaritjes së pensionit ka qenë e ndryshme. Të dhënat zyrtare tregojnë se informaliteti në bujqësi është në masën 90%.
Nga gati 750 mijë fermerë në të gjithë vendin, aktualisht janë të pajisur me NIPT afro 70 mijë fermerë. Megjithatë, pajisja me NIPT nuk i detyron ata të derdhin kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Top Channel