Pas Turqisë, Blinken mbërrin sot pasdite në Athinë

20/02/2023 14:30

Pas Turqisë, Sekretari Amerikan i Shtetit Anthony Blinken mbërrin sot pasdite në Athinë

Destinacioni i parë rreth orës 19:30 me orën lokale është zyra e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis.

Agjenda e bisedimeve me liderin grek përmban zhvillimet në Mesdheun Lindor dhe marrëdhëniet greko-turke, megjithëse vlerësimi i Athinës është se dy fqinjët po hyjnë në një periudhë ku tonet do të jenë më të buta, për shkak të tërmeteve vrastare në Turqi.

Marrëdhëniet greko-amerikane do të kenë gjithashtu një vend të rëndësishëm në tryezë dhe padyshim çështja e Ukrainës.

Një kapitull më vete është energjia , pasi SHBA-të e shohin Greqinë si  një qendër të sigurisë energjetike në rajon me  terminalin grek të gazit natyror të lëngshëm në Revithoussa në perëndim të Athinës , njësinë lundruese të Rigazifikimit dhe Magazinimit të gazit të lëngshëm që po ndërtohet në Aleksandropolis , eksportet e naftës në Bullgari, Interkonektorin  EuroAsia që mbështet nga Uashingtoni, kabllon e ndërlidhjes elektrike me Egjiptin, etj.

Ndërsa nesër në mëngjes Antony Blinken do të takohet me  ministrin grek të  Jashtëm, Nikos Dendias.

Rreth orës 08:45, në kuadër të bisedimeve të zgjeruara, dy ministrat do të shpallin fillimin e raundit të 4-të të Dialogut Strategjik Greqi-SHBA, pasuar nga bisedimet mes dy delegacioneve. Më pas do të ketë një takim privat të tyre dhe rreth orës 10:30 do të bëhen deklarata të përbashkëta për shtyp.

Raundi i 3-të i Dialogut Strategjik, Greqi-SHBA është zhvilluar  në Uashington në tetor 2021 dhe ky proces përfshin: Çështjet Rajonale, Mbrojtja dhe Siguria, Zbatimi i Ligjit dhe Antiterrorizmi, Sfidat Humanitare dhe Gatishmëria për Katastrofa, Tregtia dhe Investimet, Energjia dhe Mjedisi etj.

Bisedimet  pritet të fokusohen në mënyrat e forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve strategjike dypalëshe, në të gjithë sektorët si dhe zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA