Më shumë se 1,300 fluturime anuloi Lufthansa të premten si rezultat i një greve të stafit e cila preku të gjithë aeroportet qendrore të vendit.
Sindikata gjermane Verdi u bëri thirrje punonjësve në aeroportet e Frankfurtit, Mynihut, Shtutgartit, Hamburgut, Dortmundit, Hanoverit dhe Bremenit të mërkurën që të nisnin grevën pasi sipas saj, pak përparim ishte shënuar në përpjekjet për ta zgjidhur ngërçin përmes negociatave.
Grevistët thonë se inflacioni i lartë po i gërryen të ardhurat e tyre.
“Nisëm grevën në aeroportin e Mynihut si një formë aksioni në sektorin e shërbimit publik, i cili padyshim përfshin edhe aeroportet. Kërkesa jonë është një rritje e pagës në masën 10.5%”, tha Emilio Retronico, sindikata “Verdi”.
“Ne pretendojmë një kompensim inflacioni. Por rritja në masën 10.5% nuk është e vetmja kërkesë që kemi. Edhe kushtet tona të punës duhet të përmirësohen gjithashtu”, tha Ali Balshee, sindikalist.
Më herët, aksionet e Lufthansës, e cila zotëron gjithashtu SËISS, Austrian Airlines, Brussels Airlines dhe Euroëings, ranë me 1.5%. Kjo është greva më e fundit e një serie aktivitetesh të tilla që kanë për qëllim rritjen e rrogave.
Aksionit i janë bashkuar këto ditë edhe punonjësit e kompanive të transportit urban apo edukatorët e kopshteve në disa qytete të Gjermanisë.
Sindikatat kërkojnë përpara raundit të dytë të negociatave në 22 shkurt që rritja minimale e pagave të jetë të paktën në 500 euro në muaj bruto, por autoritetet i kanë refuzuar këto kërkesa si joreale.
Top Channel