Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken njoftoi se  ka pasur “diskutime produktive” me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në Mynih të Gjermanisë, ku po mbahet konferenca e përvitshme e sigurisë.

“Folëm mbi rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën dhe se sa e vlerësojmë mbështetjen e vazhdueshme të saj për Ukrainën”, shkroi Blinken në Twitter.

“Ne e ndajmë dëshirën e Serbisë për një të ardhme me Bashkimin Europian”, shtoi kreu i diplomacisë amerikane.

Vuçiçi nga ana e tij përdori profilin e vet në Instagram për të njoftuar takimin me Blinkenin, ku siç tha, përveçse u diskutua për marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, u konfirmua edhe “përmirësimi e marrëdhënieve” mes vendeve dy vendeve.

Po në Mynih, presidenti serb është takuar edhe me kancelarin gjerman Olaf Scholz e shefin e Elizesë, Emmanuel Macron. Kosova dhe Serbia janë nën trysninë e komunitetit ndërkombëtar për të arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve, nga frika se Rusia mund t’i shfrytëzojë tensionet mes tyre për të nxitur destabilizim në Ballkan, në përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga agresioni i saj në Ukrainë.

Aktualisht, palët kanë në tryezë një propozim të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve, për të cilin SHBA-ja ka shprehur mbështetje. Ky propozim mendohet se do të përbëjë dhe boshtin e takimit që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe Vuçiç pritet të zhvillojnë në Bruksel në 27 shkurt, hera e parë që do të jenë sërish përballë njëri-tjetrit që nga nëntori i vitit të kaluar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA