Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, përsëriti thirrjet për dërgimin sa më të shpejtë në Kiev të armëve perëndimore, duke thënë se Rusia nuk duhet të lejohet që të blejë kohë për agresionin e saj, teksa forcat ukrainase janë përballur me sulme të shumta në të gjithë linjën e frontit.

“Ne duhet të përshpejtojmë. Ne na duhet shpejtësi – shpejtësi në marrëveshje, shpejtësi në dërgesa…. shpejtësi në vendime për të kufizuar potencialin rus”, tha Zelensky në Konferencën e Sigurisë në Mynih.

Zelensky tha se përderisa shtetet perëndimore po debatonin lidhur me dërgimin e tankeve në Ukrainë, presidenti rus, Vladimir Putin, po mendonte për mënyrat se si ta “ngufasë” fqinjin e Ukrainës, Moldavinë.

“Është e dukshme që Ukraina nuk do të jetë ndalesa e tij e fundit. Ai do të vazhdojë lëvizjen e tij deri në fund… përfshirë edhe të gjitha shtetet e tjera që në një kohë ishin pjesë e bllokut sovjetik”, tha Zelensky.

Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, tha më herët gjatë javës se shteti ka informacion se Rusia po përgatiste një grushtshtet ndaj Qeverisë pro-perëndimore të Moldavisë, me ndihmën e sabotatorëve të huaj.

Në konferencë po marrin pjesë liderët e Francës dhe Gjermanisë, por edhe nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, dhe zyrtarë të tjerë.

Gjatë konferencës, kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se mbështetja e shtetit të tij për Ukrainën “është e dizajnuar që të jetë afatgjatë”.

“Ata që mund të dërgojnë tanke luftarake, duhet ta bëjnë tani”, tha Scholz, duke shtuar se po bëhet “fushatë intensive” që aleatët të dërgojnë tanke në Ukrainë, ashtu siç kishin premtuar muajin e kaluar.

Ndërkaq, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se është jashtëzakonisht e rëndësishme që aleatët perëndimorë të rrisin ndihmën ushtarake në mënyrë që Ukraina të mund të nisë një kundërofensivë kundër Rusisë.

Një ditë më herët, zyrtarët në Kiev thanë se forcat ukrainase thanë se kanë zmbrapsur sulmet ruse në disa vendbanime, teksa Rusia ka vazhduar sulmet ndaj infrastrukturës kritike të Ukrainës.

Më 16 shkurt, ushtria ruse ka kryer 41 sulme me raketa në Ukrainë dhe pesë prej tyre kanë goditur rajonin e Harkivit, tha ushtria ukrainase. Kievi tha se forcat ukrainase të mbrojtjes kanë arritur të pengojnë 16 sulme me raketa të Rusisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA