Faik Konica ka thënë se pasuritë që ka Shqipëria do të mjaftonin për 20 milionë shqiptarë, madje që ata të jetonin më mirë se zvicerianët.
Por në kushtet kur shqiptarët po lindin më pak, po emigrojnë masivisht, dhe raporti mes lindjeve dhe vdekjeve siç raporton INSTAT-i, pra shtesa natyrore e popullsisë është afër zeros për të tretin vit radhazi, atëherë ky parashikim i bërë në vitet 1930nga Konica nuk ka më lidhje me realitetin e shekullit të 21-të.
“Nëse duam të rritet popullsia duhet që nënave t’u krijohen gjithë kushtet. Ato duhet të kenë punë dinjitoze, që të marrin një pagë me të cilën të rrisin fëmijët.
Së dyti, nënat për 3 vjet pas lindjes të paguhen me pagë të plotë pa punuar. Së treti Shqipëria duhet të vërë në eficencë pasuritë e shumta që ka me qëllimin kryesor të rritjes së popullsisë. Nëse do të vazhdojnë këto dy prirje pakësimi drastik i lindjeve dhe rritja eksponenciale e njerëzve që emigrojnë, apo e njerëzve që edhe kur janë në Shqipëri e kanë mendjen për të emigruar, duke qenë gjysmë të paralizuar kur janë këtu, atëherë Shqipëria do të zhbëhet, do të shuhet kombi ynë.
Referuar të dhënave të EUROSTAT-it, nga viti 2008, 756 mijë shqiptarë kanë marrë shtetësi në një nga vendet e BE-së. Kjo është një hemorragji. Ne jemi populli me shkallën më të lartë të hemorragjisë së emigrimit në gjithë vendet ish-socialiste të Lindjes.
Kjo plagë që rrjedh gjak përditë e përditë do ta shpërbëjë Shqipërinë. Unë kam studiuar shifrat e emigracionit në Itali dhe Gjermani. Në Itali rreth 10-11% janë të huaj, jo më shumë. Në Gjermani është më e lartë kjo shifër, por sistemi i kontrollit dhe imponimit shtetëror në Gjermani është absolut. Kurse në Shqipëri kyçet e shtetit shqiptar po i marrin të huajt dhe nëse do të ndryshojë struktura e popullsisë atëherë nuk do të ketë më popull shqiptar. Ne do të bëhemi si endacakë. Po u bënë më shumë se gjysma e popullsisë joshqiptare, pse do të quhej më Shqipëri?”, tha sociologu Zyhdi Dervishi.
Top Channel