“Final Destination”/ I shpëtoi shpellës së përmbytur në Tajlandë, 17 vjeçari vdes në Angli

16/02/2023 15:51

Shpëtimi i tij dhe 12 djemve të tjerë të bllokuar në një shpellë të Tajlandës, të përmbytur nga reshjet e rrëmbyera në 2018-tën, tërhoqi vëmendjen e mbarë botës, sidomos për operacionin masiv të shpëtimit të tyre, ku morën pjesë edhe zhytës profesionistë ndërkombëtarë.

Shumë njerëz mbajtën frymën pezull atëherë dhe gëzuan me fundin e lumtur të asaj historie. Por sot, ai nuk konsiderohet më i tillë, të paktën jo për Duangphet Phromthep.

17 vjecari, që ishte atëherë kapiteni i skuadrës së futbollit të të miturve që përjetoi makthin e bllokimit dhe rrezikut për jetën në atë guvë, ishte bërë pjesë e një akademie futbolli në Leicestershire të Anglisë.

Ai ishte shumë krenar për bursën e fituar, e çdo gjë dukej se po shkonte më së miri për të. Kjo deri mëngjesin e sotëm, kur mediat më të mëdha botërore njoftuan me hidhërim ndarjen e adoleshentit nga jeta. Arsyeja e saktë nuk dihet ende, u fol vetëm për një aksident, por nuk ka detaje të mëtejshme.

“Kaluam shumë gjëra bashkë, të mira dhe të këqija. Kaluam situata jete e vdekjeje. Më thanë të prisja e të shihja kohën kur do të ktheheshe në një futbollist të kombëtares. Gjithmonë kam besuar se mund ta bësh. Pusho në paqe vëlla, ne kemi gjithmonë njëri-tjetrin, të 13-të ne”, ishte mesazhi prekës i Prajak Sutham, njëri prej djemve që ashtu si 17 vjecari, arriti t’i shpëtonte makthit të shpellës në Tajlandë.

Rick Stanton i cili udhëhoqi ekipin e zhytësve në misionin e shpëtimit të 2018-tën, u shpreh i shokuar nga lajmi që siç tha ai, i ka tronditur e trishtuar të gjithë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA