Seanca për inceneratorin e Elbasanit/ Koka kërkon të pushohet akuza e shpërdorimit dhe pastrimit të parave, Bllako: S’kam pasur asnjë rol në koncesion

14/02/2023 13:07

Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar edhe Korrupsionit ka nisur sot gjykimin paraprak për dosjen e inceneratorit të Elbasanit.

Gjatë seancës do të vendoset nëse çështja do të vazhdojë për gjykim apo do të ketë hetime të reja. Për të dyja dosjet e inceneratorëve në Elbasan e Fier, funksionarët më të lartë të dorëzuar nën akuzë janë Lefter Koka ish-ministër i Mjedisit dhe Alqi Bllako, ish-deputet dhe ish-sekretar i përgjithëm.

Seanca ka nisur në orën 09:00 dhe deri në orën 11:50 ka folur Lefter Koka dhe avokati i tij mbrojtës Fatmir Braka. Gazetarja Anila Hoxha ka mësuar se prezent në këtë seancë me dyer të mbyllura të drejtuar nga gjyqtari paraprak, Koka ka thënë se ky proces është i montuar dhe akuzat ndaj tij janë politike.

Nga ana tjetër, avokati ka kërkuar që të pushohen dy akuzat në ngarkim të zyrtarit më të lartë që merret në akuzë për këtë çështje. Pra, të pushohet akuza e shpërdorimit dhe ajo e pastrimit të parave. Sipas tij, akuza e korrupsionit nuk ka sens sa i takon hetimit të kryer nga SPAK.

Ka nisur më pas mbrojtjen edhe Aqi Bllako, i cili akuzohet për shkak të detyrës që ka mbajtur si sekretar i Përgjithshëm dhe si zyrtari më i lartë sa i takon procedurave për thirrjen për koncesion pa kryer procedurat e duhura.

Bllako ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë rol dhe se të gjithë koncesionin e kanë thirrur anëtarët e komisionit, por, shton ai, edhe këta të fundit kanë zbatuar ligjin dhe nuk kanë thyer asnjë rregullore.

Ky proces pritet të jetë i gjatë, pasi janë dhe tetë persona të tjerë që duhet të flasin në këtë seancë.

Nuk dihet ende nëse GJKKO do të dalë apo jo gjatë ditës me një vendimmarrje nëse do ta kalojë çështjen për gjykim themeli apo do t’ia kthejë pas çështjen SPAK-ut.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA