Objektet e rrëzuara në SHBA, nuk dihet origjina e tyre

14/02/2023 08:41

Shtetet e Bashkuara njoftuan të hënën se nuk e dinë origjinën e tre objekteve që u goditën dhe u rrëzuan ndërsa fluturonin në lartësi të mëdha mbi Amerikën e Veriut.

Qeveria amerikane tha se nuk mendon se objektet ishin mjete përgjimi, megjithëse e lë hapur edhe mundësinë se mund të kenë qenë të tillë.

“Nuk kishin mjete shtytëse”, u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby. “Nuk po manovronin. Nuk kishin kapacitete survejimi, por nuk mundemi ta përjashtojmë këtë mundësi”.

“Gjendemi në një lloj terreni të pashkelur më parë”, tha zoti Kirby.

Ai tha se pjesët e tre objekteve ranë në “vende të largëta, të vështira për t’u arritur”, në akujt pranë bregdetit të shtetit të largët në veriperëndim të Shteteve Bashkuara, Alaska, në territorin Yukon në Kanadanë veriperëndimore, dhe në thellësitë e Liqenit Huron në kufirin SHBA-Kanada.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin tha se personeli amerikan nuk ka mbledhur ende pjesët e tre objekteve të goditura dhe të rrëzuara.

Sekretari Austin u tha gazetarëve të hënën në Bruksel, kur pritet të takohet me ministrat e mbrojtjes së NATO-s këtë javë, se moti ka vështirësuar përpjekjet në Alaska, ndërsa terreni i vështirë në Kanada po ndikon në kërkimet e atjeshme.

Ai tha se prioriteti për Pentagonin është “marrja e pjesëve të mbetura në mënyrë që të kemi një botëkuptim më të mirë se çfarë janë këto objekte”.

Zoti Kirby refuzoi t’u referohet objekteve me termin “balona”.

“Nuk dimë se kujt i përkasin”, tha ai, në dallim nga balona spiune kineze që Shtetet e Bashkuara goditën dhe rrëzuan më 4 shkurt mbi Oqeanin Atlantik pranë bregut të shtetit jugor Karolina e Jugut, pasi kishte përshkuar për tetë ditë territorin amerikan. Kina vazhdon të pretendojë se balona ishte një mjet për monitorimin e motit që kishte dalë nga kontrolli dhe kishte devijuar nga kursi. Por, zyrtarët amerikanë thonë se pjesët që kanë marrë nga shtrati i oqeanit tregojnë se balona po bënte një mision survejimi.

Zoti Kirby tha se Presidenti Joe Biden “e ka bërë prioritet shumë të lartë” përcaktimin e përkatësisë dhe origjinës së tre objekteve të rrëzuara nga pilotët amerikanë, sipas urdhërave të dhëna prej tij, apo në rastin e objektit që ra në Yukon, në konsultim me Kryeministrin kanadez Justin Trudeau.

Zoti Kirby tha se tre objektet u goditën dhe u rrëzuan pasi ishin një kërcënim shumë real për aviacionin civil; objektet pranë Alaskas dhe mbi territorin Yukon fluturonin në lartësi rreth 12 mijë metra nga toka, ndërsa ai mbi Liqenin Huron ishte në gjysmën e kësaj lartësie.

Pasi u zbulua balona kineze, zoti Kirby tha se radarët amerikanë janë rikalibruar tashmë për të patur në vëmendje më shumë objekte.

“Një nga arsyet përse po shohim më shumë, është sepse po kërkojmë më shumë”, tha ai.

Më herët, zoti Kirby refuzoi me forcë akuzën e bërë të hënën nga Pekini se Shtetet e Bashkuara kanë dërguar mbi 10 balona të lartësive të mëdha mbi Kinë, ndërsa dy vendet vazhdojnë me kundërshtitë për rrëzimin e balonës kineze nga Shtetet e Bashkuara, pranë bregdetit amerikan.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Wang Wenbin, pretendoi gjatë një seance informimi “se është gjithashtu e zakonshme për balonat amerikane që të hyjnë ilegalisht në hapësirën ajrore të vendeve të tjera. Që nga viti i kaluar, balonat e Shteteve të Bashkuara kanë fluturuar ilegalisht mbi dhjetë herë në lartësi të mëdha në hapësirën ajrore të Kinës, pa miratimin e autoriteteve kineze”.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara duhet “pikë së pari të reflektojnë për veten dhe të ndryshojnë kurs, në vend që të shpifin dhe të nxisin një konfrontim”.

“E pavërtetë. Nuk e bëjmë këtë. Thjesht absolutisht jo e vërtetë”, i tha zoti Kirby kanalit MSNBC. “Nuk dërgojmë balona mbi Kinën”.

Të dyja vendet përdorin satelitë spiunë, por pasi zoti Wang akuzoi Shtetet e Bashkuara se dërgon balona mbi Kinë, ai nuk dha detaje të mëtejshme për mënyrën se si është vepruar me to, apo nëse ato kishin lidhje me qeverinë amerikane.

Shtetet e Bashkuara njoftuan të hënën se kanë pikasur balona kineze duke fluturuar edhe mbi Lindjen e Mesme. Por, Gjeneral Lietnanti Alexus Grynkewich, komandant i Forcave Ajrore amerikane në Komandën Qendrore tha se “nuk kanë qenë kërcënim. Kanë fluturuar disa herë që kur kam qenë unë komandant, por nuk ka qenë diçka për të cilën duhej shqetësuar”.

Kina ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se kanë vepruar me reagim të tepruar kur goditën dhe rrëzuan balonën që përshkoi territorin amerikan, përpara se të dilte mbi ujërat e oqeanit.

Adrienne Watson, zëdhënëse e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, tha se “Është Kina ajo që ka një program survejimi me balona të lartësive të mëdha për të mbledhur të dhëna zbulimi, program i lidhur me Ushtrinë Popullore Çlirimtare, që e ka përdorur për të shkelur sovranitetin e Shteteve të Bashkuara dhe të mbi 40 vendeve në pesë kontinente”.

Pas incidentit me balonën, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken anulloi vizitën në Pekin që ndoshta mund të kishte lehtësuar tensionin në marrëdhëniet mes dy vendeve, si dhe mosmarrëveshjet për Tajvanin, tregtinë, të drejtat e njeriut dhe veprimet kërcënuese kineze në Detin e Kinës së Jugut./ VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA