Shën Valentinin këtë vit është më i kursyer në shpenzime, jo vetëm për shkak të krizave të njëpasnjëshme por edhe nga ulja e numrit të të rinjve.
Ata që bënë dhuratat me tufat e mëdha me lule ishin kryesisht emigrantët.
“Porositë kryesisht vijnë ose klientët tanë këtu, ose nga emigrantët jashtë. Nga Anglia, Gjermania, Italia kemi marrë diku tek 10 porosi, që i kërkojnë për të dashurën apo bashkëshorten. Nga jashtë kemi marrë porositë më të mëdha, me 100 trëndafila ose më shumë. Zakonisht më të shtrenjtat janë porositë e emigrantëve, kurse vendasit janë më të kursyer. Çdo vit kanë ardhur në ulje shpenzimet e klientëve. Në një Shën Valentin të mirë ndodhte që një emigrant p.sh. porosiste një zemër me 300 trëndafila, apo një klient brenda vendit porosiste zemër me 100 trëndafila, ndërsa këtë vit ka ardhur duke u ulur numri i trëndafilave. Çmimet e luleve kanë ardhur gjithë kohën në rritje dhe do të vazhdojnë të ngrihen ende. Klientët duket se nuk po mësohen me këtë ide”- shprehet shitësja e luleve, Sara Bajraktari.
Për Shën Valentin këtë vit është rritur kërkesa për zbukurim ambientesh nga dyqanet e tregtimit të dhuratave, ndërsa dyqanet e dekoreve thonë se ka shpërthyer kërkesa nga të rinjtë në emigracion për apartamente të marra me qira që janë përdorur si surprizë për festën. Kërkesën më të lartë në këtë drejtim e kanë të rinjtë emigrantë që jetojnë në Angli. Por nga ana tjetër ka një rënie drastike të prenotimeve nëpër restorante për këtë ditë feste të të dashuruarve. Ata që vazhdojnë të blejnë lule, por në sasi më të vogël janë të moshuarit
“Unë kam ndërmend të blej nga një karafil për nusen, vajzën dhe veten time. Do shpenzoj vetëm 5 mijë lekë, se sisvjet ka rënë Kartagjena, s’del pensioni”- shprehet një pensioniste.
Top Channel