Bastisen zyrat e BBC në Indi pas dokumentarit të kontestuar mbi kryeministrin Modi (fotot)

14/02/2023 16:17

Rrjeti britanik BBC në Indi është bastisur sot nga zyrtarët indianë me akuza evazioni fiskal, pak pas transmetimit të një dokumentari kritik ndaj kryeministrit të vendit, që më vonë u ndalua nga qeveria.

Sipas punonjësve të degës së BBC, rreth 12 zyrtarë të taksave erdhën në zyrat e rrjetit në kryeqytetin Delhi dhe në Mumbai, për të kryer një “kontroll taksor”. Ata thonë se dokumentet e disa gazetarëve dhe punonjësve u morën dhe disa zyra u mbyllën.

Zyrtarët thanë se kontrollet ishin pjesë e hetimeve për evazion fiskal ndaj bizneseve të BBC në Indi dhe disa llogari bankare u sekuestruan.

Zhvillimi vjen teksa BBC është në qendër të një debati në Indi për një dokumentar me dy pjesë të quajtur “India: Çështja Modi”, i fokusuar në rolin e Modi, asokohe drejtues i rajonit Gujarat, në trazirat e dhunshme mes etnive Hindu e Muslimane në shtetin e tij në 2002, ku u vranë më shumë se 1,000 njerëz, kryesisht muslimanë.

Modi ka pasur prej vitesh akuza për pjesëmarrje në dhunë, por dokumentari BBC thotë mes të tjerash se Modi “është përgjegjës” për mosndalimin e vrasjeve të muslimanëve gjatë trazirave, dhe se dhuna arriti kufijtë e një “genocidi”.

Qeveria Modi akuzoi transmetuesit britanikë për “mendësi koloniale”, duke theksuar se Modi është çliruar nga akuzat nga një panel gjyqësor në 2012.

Megjithse dokumentari nuk është lejuar në Indi, ai është ndjekur nga transmetimet në rrjet dhe shpërndarja e adresave nga studentët, disa prej të cilëve janë ndaluar nga policia.

Zëdhënësi i qeverisë Gaurav Bhatia, përshkruante BBC si “organizata më e korruptuar në botë” duke e akuzuar për “lajme helmuese, të cekëta dhe të drejtuara nga axhenda”.

“Nëse një kompani do të punojë në Indi, duhet të zbatojë ligjet e Indisë. Përse keni frikë të zbatoni ligjin,” tha Bhatia.

FOTO GALERI
1/3
Dokumentari i fokusuar në rolin e Modi, asokohe drejtues i rajonit Gujarat, në trazirat e dhunshme mes etnive Hindu e Muslimane në shtetin e tij në 2002, ku u vranë më shumë se 1,000 njerëz, kryesisht muslimanë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA