Shqipëria sot në Zi Kombëtare! Flamujt në gjysmë shtizë në nder të viktimave nga tërmeti në Turqi e Siri

13/02/2023 08:47

Kjo e hënë është shpallur Ditë Zie Kombëtare në Shqipëri, në nder të mijëra viktimave që ka shkaktuar tërmeti i një jave më parë në Turqi dhe Siri.

Sot, flamuri kombëtar në të gjitha institucionet ulet në gjysmë shtizë, ndërsa pritet të qytetarët të ndezin qirinj për jetët e humbura në të dyja shtetet.

Në këtë ditë zie kombëtare, le të bashkojmë lutjet tona dhe të shprehim solidaritetin me familjet që po përballen me tragjedinë e tërmetit në kufirin turko-sirian.

Shqiptarët nuk do ta harrojnë kurrë ndihmën e Turqisë gjatë tërmetit që goditi Shqipërinë në 26 Nëntor 2019”, shkruan presidenti Bajram Begaj, në një postim në rrjetet sociale.

Kur njoftoi vendimin e qeverisë për ta shpallur këtë 13 shkurt Zi Kombëtare, kryeministri Edi Rama ftoi qytetarët të solidarizohen “në shenjë dhimbjeje e lutjeje për viktimat e tragjedisë së madhe të tërmetit në kufirin turko-sirian, si edhe në shenjë solidariteti me Turqinë mike, e cila na u gjend pranë kur një fatkeqësi e ngjashme goditi Shqipërinë pak kohë më parë”.

Mbi 34 mijë viktima janë konfirmuar deri më tani në Turqi dhe Siri. Çdo orë që kalon rrit numrin e jetëve të humbura nga tërmeti shkatërrues.

Ndërsa shpresat zbehen për të gjetur njerëz të gjallë, mbrëmjen e kaluar, dy organizata gjermane pezulluan operacionet e kërkim shpëtimit sikurse edhe një ekip i ushtrisë austriake,  për arsye sigurie të personelit të tyre, në luftimet e nxitura nga kurdët dhe rebelët sirianë.

Por, mrekullitë vijojnë të mbajnë gjallë shpresat e njerëzve. Mbrëmjen e të shtunës paçka se kishin kaluar 133 orë nga tërmeti mediat në Turqi transmetuan nxjerrjen nga rrënojat të një familje në  Kahramanmaras.

Ndërsa një fëmijë i cilësuar si heroi ditës është gjetur i gjallë nën rrënoja pas 128 orësh. Një burrë gjithashtu pas 149 orësh u nxor nga rrënojat raportuan mediat turke.

FOTO GALERI
1/11

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA