Turqia shtrihet në pllaka kryesore tektonike dhe në atë që mund të shihet si vija më mizore e ndarjeve gjeologjike të natyrës.
Vendi është po kështu në syrin e vorbullës së tensioneve që përfshin Rusinë në veri, NATO-n në perëndim, Lindjen e Mesme në jug dhe Iranin në lindje. Duke pasur parasysh shkallën apokaliptike të humbjeve njerëzore dhe dëmeve fizike të shkaktuara në mbarë rajonin nga mega-tërmeti i javës së kaluar mbi 33 mijë të vdekur e numri vazhdon të rritet është e kuptueshme që politika të ndalet, e përparësia t’i kalojë ndihmës humanitare. Por tërmetet, sidomos në Turqi, kanë edhe pasoja politike, thotë Mark Almond i Daily Telegraph.
Politikanët e opozitës kaluan menjëherë në sulm duke fajësuar atë që e cilësojnë si stil autokratik të Presidentit Rexhep Tajip Erdogan për vonesat në reagimin e ndihmës dhe faktin që janë lejuar ndërtime të dobëta nga firma që supozohet se janë në pronësi të miqve të tij politikë. Akuza të tilla hedhin një helm të rrezikshëm për kreun e shtetit turk përpara zgjedhjeve të 14 majit.
Të gjithë në Turqi e mbajnë mend se si super-tërmeti i fundit i vitit 1999 i hapi rrugën fitores elektorale të Erdoganit në vitin 2002, kur laikët në pushtet u dëbuan nga votuesit e tërbuar prej standarteve të dobëta të ndërtimit dhe korrupsioni galopant. Turqia iu drejtua islamistëve të Erdoganit për shkak të reputacionit të tij si një kryebashkiak i shkëlqyer i Stambollit, të cilin ai e pastroi vërtet një gjeneratë më parë duke hequr malet e mbeturinave të pambledhura.
24 orë përpara tërmetit të 6 shkurtit, u duk sikur karta nacionaliste do t’i dhuronte atij një tjetër mandat presidencial. Nga ana tjetër, vendet që Ankaraja i etiketon si simpatizantë të terrorizmit kurd – justifikimi i përdorur për bllokimin e hyrjes së Suedisë në NATO – vërshuan me një fluks mbresëlënës ndihmash, duke minuar konceptin e armiqve të Turqisë.
Vladimir Putini e ka fokusuar ndihmën e tij tek Siria e Bashar Al Asadit, dhe e gjithë kjo mund të ketë një ndikim në qëndrimet politike brenda Turqisë, duke shkaktuar një rishqyrtim popullor se cilat janë vendet mike dhe aleatët e vërtetë, dhe Erdogan, vazhdon Almond, e gjen sot veten në një pozitë të cenueshme si rrallë ndonjëherë.
Top Channel