Bashkia Fier, në këtë ditë zie kombëtare, në shenjë solidarizimi me dhimbjen dhe lutjen për viktimat e tragjedisë së madhe të tërmetit në kufirin turko-sirian, përveç respektimit të simbolikës për uljen e flamurit në gjysmështizë, do të organizojë homazhe ku të përfshijë të gjithë qytetarët.
Rreth orës 18:00, në çdo dritare të institucionit të Bashkisë Fier do të ndizet nga një qiri, sikurse çdo qytetar mund ta bëjë këtë në banesën e tij. Në mënyrë të organizuar do të jetë edhe ndezja e qirinjve në sheshin qendror të qytetit, i cili do të kthehet në një fushë lutjesh dhe ceremonial përkujtimore në shenjë solidariteti me këtë dhimbje të madhe që i kapërcen kufijtë tanë.
Përtej kësaj simbolike, Bashkia Fier që prej ditës së djeshme mori nismën për të organizuar grumbullimin e ndihmave të qytetarëve të saj që kanë dëshirë të mbështesin sadopak të prekurit nga kjo tragjedi. Për këtë nismë është vënë në dispozicion holli i Teatrit “Bylis”, i cili do të jetë i hapur për të pritur ndihma të ndryshme sipas dëshirës dhe mundësisë së qytetarëve si: veshje dimërore; orendi; batanije; jorganë; çarçafë; etj.
Po ashtu, 35 mijë euro është propozimi i kryetarit të bashkisë Fier, Armando Subashi drejtuar këshillit bashkiak të këtij qyteti si kontribut i qytetarëve fierakë për të prekurit nga tërmeti në Turqi dhe Siri.
Top Channel