Austria po kritikohet ashpër pasi u ka dhënë viza ligjvënësve të sanksionuar rusë për të marrë pjesë në një takim në Vjenë të Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë.
Ky rast nxjerr në pah ekuilibrin delikat që po përpiqet të ndjekë ky vend, duke ruajtur politikën e neutralitetit ushtarak, në kushtet e agresionit rus në Ukraine. Qeveria austriake e ka dënuar sulmin rus ndaj Ukrainës, por ka theksuar gjithashtu nevojën për të ruajtur marrëdhëniet diplomatike me Moskën.
Disa agjenci të OKB-së dhe organizata ndërkombëtare si OSBE-ja e kanë selinë e tyre në Austri. OSBE-ja u themelua gjatë Luftës së Ftohtë si një forum për dialog mes Lindjes dhe Perëndimit. Rusia është një nga 57 vendet anëtare të organizatës me bazë në Vjenë.
Moska planifikon të dërgojë delegatë në takimin e 23-24 shkurtit të asamblesë parlamentare të OSBE-së, përfshirë 15 ligjvënës rusë që janë nën sanksionet e Bashkimit Evropian. Midis tyre janë zëvendëskryetari i Dumës Pyotr Tolstoy dhe anëtari i parlamentit Leonid Slutsky.
Në një letër drejtuar kancelarit, ministrit të jashtëm dhe zyrtarëve të tjerë të Austrisë, 81 delegatë të OSBE-së nga 20 vende, përfshirë Francën, Kanadanë, Britaninë, Poloninë dhe Ukrainën, i bënë thirrje qeverisë austriake të ndalojë pjesëmarrjen e rusëve të sanksionuar.
“Është e rëndësishme të kemi parasysh se parlamentarët rusë janë një pjesë integrale e sistemit të pushtetit dhe bashkëpunëtorë në krimet që Rusia kryen çdo ditë në Ukrainë,” thuhet në letrën që ka siguruar Associated Press. “Ata nuk kanë vend në një institucion i cili synon të nxisë dialogun e sinqertë dhe është kundër luftës.”
Anëtarët amerikanë të Asamblenë Parlamentare nuk ishin mes nënshkruesve të letrës. Ambasadori i SHBA-së në OSBE, Michael Carpenter, u tha gazetarëve të premten se delegatët rusë “nuk e meritojnë të udhëtojnë në vendet perëndimore”. Megjithatë, ambasadori Carpenter shtoi se “i takon qeverisë austriake të përcaktojë nëse do të japin viza apo jo.”
Zyrtarët austriakë nuk kanë bërë komente për letrën. Më 5 shkurt, Ministri i Jashtëm Alexander Schallenberg mbrojti vendimin e Austrisë për të lejuar hyrjen e rusëve të sanksionuar në vend, duke argumentuar se ishte e rëndësishme të mbaheshin hapur kanalet e komunikimit me Moskën pavarësisht “sulmit brutal rus kundër Ukrainës”.
Ministria e Jashtme austriake gjithashtu këmbënguli se si vendi ku ndodhet selia e OSBE-së në Vjenë, Austria është ligjërisht e detyruar t’u japë viza përfaqësuesve të vendeve pjesëmarrëse që duan të marrin pjesë në takime.
Austria, e cila u bë anëtare e Bashkimit Evropian në 1995, ka kritikuar Moskën dhe iu bashkua sanksioneve që vendosi BE-ja kundër Rusisë në përgjigje të agresionit ndaj Ukrainës. Por ndryshe nga Finlanda dhe Suedia, të cilat në maj bënë kërkesë për t’u anëtarësuar në NATO, duke braktisur politikën e mosangazhimit, Austria mbetet e përkushtuar ndaj neutralitetit ushtarak që e ka ndjekur që në vitin 1955.
Qeveria austriake ka dërguar ndihma humanitare në Ukrainë, por jo armë. Kancelari Karl Nehammer mbetet udhëheqësi i vetëm i një vendi të BE-së që ka takuar presidentin rus Vladimir Putin ballë për ballë pas fillimit të luftës. Ai shkoi në Moskë në prill 2022 në një përpjekje të pasuksesshme për të bindur udhëheqësin rus që t’i jepte fund agresionit.
Mbështetja për politikën e neutralitetit mbetet e fortë në publikun dhe strukturat politike të Austrisë.
“Unë besoj se neutraliteti austriak mund të luajë ende një rol pozitiv sot,” thotë Ralph Janik, një ekspert i së drejtës ndërkombëtare dhe studiues në universitetin privat Sigmund Freud në Vjenë.
“Alternativa do të ishte anëtarësimi në NATO, por çdo politikan austriak e di shumë mirë se kjo nuk mbështetet nga shumica e publikut austriak.”
Austria, e cila u aneksua nga Gjermania naziste në prag të Luftës së Dytë Botërore, deklaroi neutralitetin pas luftës nën presionin e aleatëve perëndimorë dhe Bashkimit Sovjetik. Ajo u përpoq të luante një rol ndërmjetësues midis Lindjes dhe Perëndimit dhe mbajti lidhje me Moskën gjatë dhe pas Luftës së Ftohtë.
Në vitin 1968, Austria u bë vendi i parë i Evropës Perëndimore që importoi gaz nga Bashkimi Sovjetik dhe varësia e saj nga energjia ruse u rrit në dekadat në vijim. Para agresionit rus në Ukrainë, 80% e gazit natyror të Austrisë vinte nga Rusia. Që atëherë, ajo ka reduktuar importin në pak më shumë se 20%.
Sistemi bankar austriak është po ashtu i lidhur ngushtë me Rusinë. Banka e dytë më e madhe e Austrisë, Raiffeisenbank International, e nxorri më shumë se gjysmën e fitimeve të saj në vitin 2022 nga Rusia. Banka ka qenë nën presion të madh për të ndërprerë biznesin e saj në Rusi dhe aktualisht po vlerëson alternativat e mundshme.
Vjena njihet gjithashtu si një terren lojërash spiunazhi, përfshirë agjentë nga Rusia, për shkak të ligjeve të saj të buta për spiunazhin. Pavarësisht hezitimit të saj fillestar, Austria ka dëbuar tetë diplomatë rusë, të cilët besohet se ishin të përfshirë në spiunazh që nga fillimi i luftës kundër Ukrainës.
Megjithëse nuk ka shenja të heqjes dorë nga neutraliteti austriak, ka pasur zëra për një rivlerësim të kësaj politike pas luftës në Ukrainë.
Werner Fasslabend, një ish-ministër austriak i mbrojtjes nga Partia Popullore konservatore, është ndër të paktët figura të njohura që argumentojnë në favor të heqjes dorë nga neutraliteti i vendit dhe anëtarësimit në NATO.
Me përfundimin e Luftës së Ftohtë dhe pranimin e Austrisë në BE, neutraliteti austriak e ka “humbur funksionin e tij”, thotë zoti Fasslabend, drejtor i Institutit Austriak për Politikat Evropiane dhe të Sigurisë.
Si anëtare e NATO-s, Austria do të “ishte në një pozicion më të mirë për të ndikuar në politikën evropiane të sigurisë dhe do të fitonte një siguri më të madhe,” shton ai, duke pranuar se nuk ka gjasa që kjo të ndodhë duke qenë se do të kërkonte ndryshimin e kushtetutës me dy të tretat e votave në parlamentin austriak.
“Kjo shumicë nuk është e realizueshme,” tha zoti Fasslabend./VOA
Top Channel