Prej afro një viti, ekonomia shqiptare është nën thundrën e inflacionit në rritje. Nga momenti i shpërthimit të luftës në Ukrainë, çmimet e të gjitha mallrave pësuan rritje të menjëhershme, së bashku me karburantet.
Tashmë pas një viti treguesit e detajuar të muajit janar na japin disa të dhëna të tjera. Vajrat dhe yndyrnat tashmë ka rënë me 10% nga kulmi i muajit korrik, së bashku me bukën dhe drithërat një rënie me 5% sipas INSTAT.
Ndërkohë Bordi i ngritur për të monitoruar ushqimet bazë prej shtatorit nuk ka marrë asnjë vendim për të vendosur çmime të reja tavan. Në atë të fundit sheqeri qëndronte në 118 lekë/kg, mielli masiv 83 lekë/kg, ndërsa për orizin kokërrgjatë 101 lekë/kg dhe vaji në 321 lekë.
Nga vëzhgim që Top Channel bëri në disa supermarkete për këto produkte vaji për gatim po tregtohet në nivelin e 247 lekëve që është përafërsisht 35% më lirë se në periudhën prill – tetor. Sheqeri ka mbetur në vend me 118 lekë dhe mielli ka një rritje të ndjeshme dhe shitet midis 99 – 125 lekëve, 30% më shtrenjtë se tavani i Bordit, ndërsa edhe orizi është deri në 40% më shtrenjtë.
Produktet e tjera që nuk monitorohen nga Bordi si bulmeti, çmimet kanë vijuar të rriten në janar në nivelin 26.4%. Industria e përpunimit të qumështit ka paralajmëruar rritje të tjera, por Autoriteti i Konkurrencës i ka vendosur nën hetim. Me rritje kanë ardhur edhe produktet e peshkut dhe mishit.
Në familjet shqiptare 43% e të ardhurave shkojnë për këtë grup artikujsh dhe abuzimi i çmimeve me to është një goditje e rëndë në kostot mujore. Qeveria ka njoftuar së shpejti edhe rritjen e pagës minimale në 40 mijë lekë.
Top Channel