Ushqim dhe rroba për të prekurit e tërmetit, vullnetari ofron supë për gazetarin e Top Channel

10/02/2023 13:58

Shumë njerëz vullnetarë kanë dalë në terren për të ofruar ushqim dhe rroba për të prekurit e tërmetit, raporton ekipi i Top Channel i cili ndodhet në Inskender të Turqisë.

Teksa gazetari Artur Bibe së bashku me operatorët po tregonin pamje të një kampi ku ndihmohet me ushqim, një ndër vullnetarët ofron atij supë të ngrohtë.

“Siç e shikoni edhe mua mu dha, janë njerëz shumë të dashur, shumë të mirë dhe ofrojnë me shumë kënaqësi një pjatë gjellë”, shprehet Artur Bibe.

Pasi kanë kaluar disa orë nga tërmeti mensa të improvizuara janë vendosur në disa zona. Ndihma për popullin ka ardhur si nga vendas ashtu edhe nga e gjithë bota. Në mensën në të cilën ndodhet gazetari Bibe shërbehet supë dhe bukë për njerëzit në nevojë.

“Ka ushqim për të gjithë”, raporton gazetari.

“Nuk janë punojës të shtetit , janë njerëz civilë që kanë ardhur këtu pikërisht për të ndihmuar”, shton ai.

Ndërkohë që vijnë ndihma të tjera në çdo moment, solidariteti është i jashtëzakonshëm, dhe një grumbull me rroba është dhuruar po ashtu.Kushdo që ka nevojë mund të marri të ngrohta dhe të pastra.

Disa njerëz pak më tutje presin të rejat e njerëzve të tyre të afërt.

“Një situatë tragjike por të paktën nuk mungon solidariteti”, thotë Bibe.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA