Tërmeti më i rëndë në 80 vite në Turqi/ Mbi 23 mijë të vdekur, miliona të pastrehë! Vazhdojnë kërkimet nën rrënoja

10/02/2023 22:38

Tërmeti i së hënës është më i rëndi që ka goditur Turqinë në 80 vitet e fundit.

Vendi që është i njohur për lëkundje sizmike të forta po përballet tani me gjendjen e jashtëzakonshme teksa autoritetet dhe ekipet e shpëtimit po punojnë për nxjerrjen e të gjitha viktimave nga rrënoja.

Deri më tani, autoritete kanë konfirmuar 23.726 viktima në Turqi dhe Sirinë fqinje.

Në Turqi, numri i të vdekurve ka shkuar 20,213 ndërsa  80.052 të tjerë janë të raportuar të lënduar.

Numri i përgjithshëm i vdekjeve në Siri është 3.384, përfshirë 2,166 në zonat e kontrolluara nga rebelët në veriperëndim, sipas grupit të mbrojtjes civile të Helmetave të Bardha dhe 1.347 në pjesët e kontrolluara nga qeveria të Sirisë, sipas mediave shtetërore siriane.

Numri i personave të lënduar në Siri në të gjitha territoret e prekura është 5.245.

Orë pas ore nën rrënoja janë ndjerë rrahje zemre dhe ekipet e shpëtimit kanë nxjerrë të gjallë qindra njerëz, por teksa kanë kaluar 115 orë nga tërmeti, shpresat për gjetur të mbijetuar janë të vogla.

Mijëra njerëz që tashmë janë të pastrehë duhet të përballen me dimrin e ftohtë me temperaturat që gjatë natës zbresin disa gradë nën zero. Në qytetet e shkatërruara janë ngritur çadra, por janë të pamjaftueshme për të strehuar të gjithë.

Ekipe të shpëtimit kërkimit dhe ndihma për të mbijetuarit janë dërguar nga e gjithë botë, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën.

Edhe më e rëndë është situata në Siri. Një krizë brenda krize e cilëson OKB, që paralajmëron se më shumë se pesë milionë njerëz mund të kenë mbetur të pastrehë. Agjencia e Kombeve të Bashkuara tha se 6.8 milionë njerëz ishin tashmë të zhvendosur brenda vendit që nga fillimi i luftës civile që përfshiu Sirinë në vitin 2011. Tashmë, 5.37 milionë njerëz të prekur nga tërmeti do të kenë nevojë për ndihmë strehimore në të gjithë Sirinë, thotë organizata.

FOTO GALERI
1/22

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA