Zëdhënësja e ministrisë së jashtme ruse tha sonte se mbështet një koment të gazetarit investigativ amerikan Seymour Hersh, ku thuhet se SHBA është përgjegjëse për sabotazhin ndaj dy gazsjellësave ‘Nord Stream’ në detin Balltik.
“Të gjitha këto fakte duhet të merren seriozisht, prandaj çështja duhet të jetë objekt i një hetimi ndërkombëtar”, tha mes të tjerash përfaqësuesja ruse Maria Zakharova.
Dukje komentuar një raport të publikuar më herët sot, Zakharova i bënte thirrje Shtëpisë së Bardhë për të komentuar mbi faktet e prezantuara.
“Këto fakte (raporti i Hersh) duhet të jenë objekt hetimi. Në të njëjtën kohë nuk mund të mbështetemi në paanësinë e autoriteteve norvegjeze dhe vullnetin e tyre për të bashkëpunuar në mënyrë konstruktive për çështjen, pasi edhe për këtë kemi prova”, tha ajo.
“Ne vazhdimisht i kemi ofruar autoriteteve daneze e suedeze asistencën tonë për hetimet e sulmit terrorist, por kërkesat e kryeministrit rus Mikhail Mishustin dhe të kryeprokurorit, janë refuzuar. Është e qartë se autoritetet nuk janë të interesuara për të zbuluar autorët e saj që ka ndodhur, por përkundrazi, janë të interesuar në fshehjen e të dhënave dhe të provave”, shtoi Zakharova, cituar nga rrjeti francez AFP.
Seymour Hersh tha dje se marina e SHBA nën urdhrat e President Joe Biden, është përgjegjëse për sulmet e 26 shtatorit 2022 ndaj gazsjellësave Nord Stream, që sjellin gazin natyror nga Rusia drejt Gjermanisë.
Top Channel