Tentativa për vrasje e ndodhur ditën e djeshme në Vlorë, nxori zbuluar dy shtëpi bari në Vlorë dhe Selenicë, ku kultivoheshin sasi të mëdha të bimëve narkotike.
Pas të shtënave me armë ditën e djeshme, policia ushtroi kontrolle në zonën pranë banesës së autorit, Ledjon Zahaj, ku në vilën luksoze të kunatit të tij Lorenc Xhaferrit u zbuluan ambiente të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike.
Operacioni i koduar “Indoors”. nisi dje në orën 11:00, në të njëtën kohë, në lagjen “10 Korriku” dhe në fshatin Kropishtë, në Selenicë.
Në momentin që shërbimet operacionale kanë shkuar pranë vilës së Lorenc Xhaferrit, nuk u gjetën persona brenda. Për këtë arsye, nisur nga dyshimet se brenda kësaj vile kultivoheshin bimë narkotike, me anë të llambave, ky ambient është mbajtur në vëzhgim dhe nuk është ndërhyrë për momentin.
Operacioni ka vijuar në fshatin Kropishtë, ku gjatë kontrollit në një ambient në pronësi të Dritan Koçiraj, u gjetën dhe u sekuestruan 87 llamba, 12 transformatorë të vegjël elektrikë, 6 ventilatorë elektrikë, 4 kondicionerë dhe materiale bimore të dyshuara narkotike cannabis sativa.
45-vjeçari u arrestua Dritan Koçiraj, dhe u shpall në kërkim vëllai i tij, Përparim Koçiraj 55 vjeç.
Po ashtu, u ndaluan Niko Dhima 39 vjeç, me detyrë faturist i OSHEE Vlorë dhe Florjan Çaushaj 34 vjeç, me detyrë përgjegjës grupi i elektricistëve të OSHEE Vlorë.
Dje, reth orës 16:00, agjentët operacionalë që mbanin nën vëzhgim vilën në pronësi të Lorenc Xhaferrit kanë konstatuar një person që ka hyrë me vrap në vilë, i cili po ndiqej nga punonjësit e Komisariatit të Policisë Vlorë dhe të “Shqiponjave”, pasi dyshohej se kishte tentuar të vriste një person me armë zjarri, rreth orës 15:45, në lagjen “10 Korriku”, Vlorë.
Menjëherë është ndërhyrë nga të gjitha shërbimet operacionale dhe ato të rendit, në vilën e Xhaferrit dhe është bërë kapja në oborrin e kësaj vile dhe arrestimi në flagrancë i atij që hyri me vrap në vilë, konkretisht Ledjon Zahaj, 38 vjeç, autor i tentativës së vrasjes me armë zjarri të D. P.
Brenda në vilë është konstatuar se kati i parë dhe kati i tretë i saj ishin përshtatur për kultivim të bimëve narkotike.
Nga kontrolli në të dyja katet e vilës, u gjetën dhe u sekuestruan 534 bimë narkotike të kultivuara në vazo, 11 kilogramë lëndë narkotike në formë boçeje, 5 ventilatorë, 4 aspiratorë, 3 kondicionerë, 100 reflektorë, 23 impiante ngrohëse, 69 llamba, 6 filtra ajri, 1 armë gjahu, 3 aparate celulare, 1 automjet dhe sende të tjera të që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave.
42-vjeçari Lorenc Xhaferri u shpall në kërkim dhe u ndaluan, Edmond Begaj, 26 vjeç, me detyrë elektricist i OSHEE Vlorë dhe Gentjan Metushi, 44 vjeç, me detyrë faturist i OSHEE Vlorë.
Policia thotë se nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, po vijojnë veprimet e thelluara në kuadër të këtij operacioni, me qëllim sekuestrimin e çdo pasurie të përfituar nga këta persona nga kultivimi i drogës.
Top Channel