Prokurorët belgë që po hetojnë një skandal korrupsioni që ka goditur Parlamentin Evropian kryen të premten kontrolle të reja dhe morën në pyetje një ligjvënës, të cilit iu hoq imuniteti javën e kaluar.
Prokurorët thanë në një deklaratë se një anëtar i Parlamentit Evropian të cilin e identifikuan vetëm me inicialet M.T., por që një burim me njohuri për çështjen tha se ishte Marc Tarabella, u arrestua të premten në mëngjes.
Autoritetet belge kryen kontrolle në shtëpinë e zotit Tarabella në Anthisnes në Belgjikën lindore, në bashkinë e qytetit dhe në një kasafortë në një bankë në qytetin Liege.
Gjyqtari që mbikëqyr çështjen pritet të vendosë po të premten nëse zoti Tarabella do të përballet me akuza të mundshme, thanë prokurorët. Zoti Tarabella mohon të ketë kryer ndonjë shkelje.
Deputetja greke e Parlamentit Evropian Eva Kaili, ish-deputeti italian Pier Antonio Panzeri, si edhe dy persona të tjerë, janë në paraburgim në Belgjikë nën akuza për korrupsion dhe pastrim parash në lidhje me pagesa që dyshohet se kanë marrë nga Katari dhe Maroku.
Zoti Panzeri ka rënë dakord të bashkëpunojë me autoritetet belge në këmbim të një dënimi të reduktuar. Zonja Kaili nuk i ka pranuar akuzat. Katari dhe Maroku kanë refuzuar të kenë dhënë para.
Avokati i zotit Tarabella ka thënë se eurodeputeti kishte vizituar Katarin dy herë dhe kishte qenë plotësisht transparent në lidhje me këto udhëtime me fokus tek të drejtat e njeriut dhe të punës dhe lirinë e shprehjes.
Parlamenti Evropian javën e kaluar i hoqi imunitetin zotit Tarabella dhe italianit Andrea Cozzolino. Nëpërmjet avokatëve ata kanë mohuar të kenë kryer shkelje dhe kanë thënë se janë të gatshëm t’u përgjigjen pyetjeve të autoriteteve belge.
Top Channel