Mjeshtëria romake e ndërtimit me beton rezistent e më pak emisione CO2

10/02/2023 08:40

Betoni që ripërtërihet vetë përbën bazën e trashëgimisë arkitektonike të Romës antike. Një studim i ri tregon si mund të përdoret ky material çudibërës për të përgatitur ditëve të sotme betone më të qëndrueshme.

Në “Eneidën” e Virgjilit, një poemë epike latine, perëndia Jupiter profetizon se Enea, një hero që i shpëton rënies së Trojës, do të marrë si dhuratë një perandori, fundi i së cilës nuk vjen kurrë. Kjo perandori ka qenë Perandoria Romake.

Ideja e krijimit të trashëgimisë kulturore të një perandorie të përjetshme ka pasur rëndësi shumë të madhe për Romën, gjë që nuk e tregon asgjë tjetër më shumë se sa e tregojnë projektet e mëdha të ndërtimit.

“Ideja e krijimit të një kujtese ka qenë vërtetë e rëndësishme për Romën antike, ka qenë baza e fuqisë së saj. Ndërtesat si harqe dhe tempuj kanë qenë mbase kujtesat më të rëndësishme pamore, të krijuara nga perandorët dhe gjeneralët. Trashëgiminë e tyre ata e çimentuan në histori”, i tha Deutsche Welles, Hannah Platts, një historiane nga Universiteti Royal Holloway në Londër.

Betoni romak ka qenë kryesorja në këtë trashëgimi, ka përbërë shprehimisht dhe simbolikisht themelin e pushtetit të Romës. Dhe ndërkohë që ndërtesat romake janë të famshme për mozaikët dhe mermerin, betoni, me modestinë e tij, është gjeniu i vërtetë.

Betoni inicoi hovin e ndërtimeve arkitektonike

Betoni romak është material i qendrueshëm. Llojet moderne të betonit krisen dhe shpërbëhen brenda disa dekadave, kurse betoni romak ka mbajtur në vend pallate, ura dhe tempuj për mijëra vjet. Materiali i ndërtimit është ai që bën që ndërtesa si Koloseumi të jenë në këmbë edhe sot. Romakët kanë pas eksperimentuar për shekuj me betonet, por hov zhvillimi morri vetëm në shekullin e parë para erës sonë.

Shembulli më i mirë për përdorimin gjenial të betonit është ndërtesa e Panteonit, një tempull ndërtuar në Romë nga viti 113 deri në vitin 126 të erës sonë.Shembulli më i mirë për përdorimin gjenial të betonit është ndërtesa e Panteonit, një tempull ndërtuar në Romë nga viti 113 deri në vitin 126 të erës sonë.

“Ka qenë koha e novacioneve me llaçin dhe betonin,” thotë Riley Snyder, një inxhinier ndërtimi në Universitetin e Edinburgut, në Mbretërinë e Bashkuar. “Ata e dinin se nëse i shtonin llaçit qeramika të thyera, atëherë rritej rezistenca e betonit kundër aktiviteteve sizmike, ose shtimi i hirit të vullkaneve e bënte betonin më të qendrueshëm.”

Kjo teknologji revolucionarizoi arkitekturën. Duke pasur beton të fortë, arkitektët arritën të ndërtonin ndërtesa më të mëdha dhe më të rafinuara. “Betoni romak bëri të mundur ndërtimin e harqeve dhe kupolave, të cilat ndryshuan për gjithnjë arkitekturën. Harqet masive përreth Koloseumit, për shembull, janë bërë me beton të derdhur”, thotë Snyder.

Por shembulli më i mirë për përdorimin gjenial të betonit është ndërtesa e Panteonit, një tempull ndërtuar në Romë nga viti 113 deri në vitin 126 të erës sonë. “Arkitektët e dinin se për të ndërtuar një ndërtesë kaq të madhe, duhet të përdornin përzierje më të rënda betoni poshtë, në dyshemenë e ndërtesës dhe përzierje më të lehta betoni lart, në krye, kështu që ndërtesa fillon të bëhet më e lehtë me rritjen e lartësisë”, thotë Platts. “E gjitha kjo ndihmoi Romën të shfaqë fuqinë e saj.”

Kupola e Panteonit në Romë, një kryevepër e mjeshtërisë arkitektonikeKupola e Panteonit në Romë, një kryevepër e mjeshtërisë arkitektonike

Beton romak që ripërtërihet vetë

Pse është betoni romak më i qëndrueshëm nga betonet e tjera? Admir Masic, një inxhinier ndërtimi në Institutin e Teknologjisë në Masaçuset të SHBA-së, i tha Deutsche Welles se kjo ka të bëjë me përdorimin e hirit vullkanik, marrë nga malet e Vezuvit ose Entas. “Romakët i shtonin përzierjes së llaçit hirin vullkanik”, thotë Masic. “Kështu krijohet një material i jashtëzakonshëm ndërtimi, i cili është në gjendje të ripërtërihet vetë mbasi çahet. Ju mund të çani në dysh një copë betoni dhe ai ringjitet pas dy javësh, po t’i hedhësh ujë.”

Aftësia vetë-ripërtëritëse është veçanërisht efektive në ujin e kripur të deteve. Kjo i ndihmoi romakët të ndërtonin porte detare të forta dhe objekte nënujore portesh përgjatë Mesdheut, si ato të Cezaresë në Izraelin e sotëm.

Zbulohet një formulë e humbur betoni?

Atëherë, pse nuk përdorim ne sot betonin romak? Për fat të keq, receta për përgatitjen e betonit që ripërtërihet vetë ka humbur gjatë kohërave dhe nuk dihet kur është përdorur ekzaktësisht për herë të fundit, para se ky material ndërtimi të zhdukej. Shkencëtarë si Masici janë marrë me studimin e betonit dhe llaçit romak për të kuptuar pse ky material është kaq i fortë.

Studimi më i fundit i Masicit, më 6 janar 2023, në revistën Science Advances, tregon se qendrueshmëria e materialit mund të ketë të bëjë me mënyrën e përzierjes së llaçit. “Studimet tona tregojnë se romakët kanë përdorur një proces të quajtur “përzierje e nxehtë” e gëlqeres, hirit vullkanik dhe ujit”, thotë Masic.

Ky proces i përzierjes së nxehtë krijon të ashtuquajturat klasta (petëza) gëlqerore, të cilat gjenden kudo në përbërësit mineralë të betonit romak.” “Njerëzit menduan fillimisht se klastat ishin shkaktuar për shkak të përzierjes së keqe, por unë dyshova për këtë gjë sepse romakët ishin shumë të kujdesshëm kur bëhej fjalë për përgatitjen e betonit”, thotë ai. Në fakt, studimi i Masicit tregon se përzierja e nxehtë dhe klastat gëlqerore janë thelbësore për aftësinë e vetë-ripërtëritës të materialit, duke krijuar një reaksion kimik me ujin, i cili ngjit të çarat.

Beton më ambientalist?

Masic shpreson që studimi i tij të ndihmojë industrinë e ndërtimit për të krijuar beton më të fortë dhe më të qëndrueshëm, i cili ripërtërihet vetë. “Betoni që ripërtërihet vetë është shumë rezistent, që do të thotë se nevojitet më pak beton, ose se betoni nuk ka nevojë të ribëhet. Kështu që kërkesat e prodhimit ulen më shumë, duke ulur edhe sasinë e energjisë së përdorur”, thotë ai.

Prodhimi modern i betonit është përgjegjës për 8 përqind të emisioneve të dioksidit të karbonit në botë. Gjithçka që ndërtohet rrugët, shtëpitë dhe gradaçelat kanë nevojë për beton kur ndërtohen, kështu që Masiv mendon se zbulimi i tij ka potencial të madh. “Kemi të bëjmë me materialin e përdorur më shumë në botë, dhe me një material që shkakton prodhimin e shumë dioksidi karboni. Ulja e emisioneve të dioksidit të karbonit në industrinë e prodhimit të betonit mund të jetë e madhe”, thotë ai./DW

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA