Rrugë të çara, mjete të ndihmës së shpejtë që nuk kalojnë dot, sirena makinash që bien pa pushim, turma njerëzish që rrethojnë kamionët e mbrojtjes civile- nuk ka ujë, nuk ka drita, nuk ka internet, mungojnë deri edhe thasët për trupat e pajetë të viktimave.
Vetëm për të mbushur makinën me karburant duhet të presësh në radhë të paktën një orë, dhe të gjitha këto, ndërkohë që toka vazhdon të lëkundet akoma: panorama në zonat e goditura nga tërmeti më shkatërrimtar i shekullit në Turqi, është e zymtë. Duken si zona lufte, thonë ata që ndodhen atje, ndërsa nuk e fshehin zemërimin me pushtetarët.
“Ne si civilë i kemi mbështetur plotësisht njerëzit, por unë nuk kam vinç, nuk i ngre dot vetë këto blloqe betoni, zemra ime po çahet nga kaq shumë dhimbje. Ku është ushtria? Ku është shteti? Ku është bashkimi e solidariteti ynë?“- shprehet një banor.
Presidenti Rexhep Tajip Erdogan është duke i vizituar vetë nga afër qytetet e goditura. Nga Kahramanmarasi ne Hatay, ai ka përcjellë mea culpa-n për vonesën e ndihmës. Por ka edhe argument në mbrojtjen e tij e të qeverisë.
“Është e pamundur të përgatitesh për për një katastrofë të tillë. Në periudha të tilla, nuk i duroj dot njerëzit që nxisin fushata negative për interesa politike.”– tha Erdogan.
Zemërimi megjithatë vazhdon të shtohet, sidomos për taksën e tërmeteve të vendosura nga qeveria pas tërmetit të 1999-tës që vrau 17 mijë vetë. mbi 4.3 miliardë euro supozohet të ishin shpenzuar për parandalimin e fatkeqësive të tilla përmes strukturave të ndërtuara me certifikate sigurie. Shpresat për gjetjen e të mbijetuarve po vijnë duke u zbehur.
Ekipet e kërkim-shpëtimit bënë përpjekjet e fundit gjatë natës të së enjtes për të gjetur ende njerëz të gjallë nën rrënojat e godinave të shembura. Nxjerrja e një vajze 10 vjecare pas 90 orësh të kaluara nën gërmadha ishte ushqim i ri për shpresën. Ekspertët thonë se njerëzit mund të mbijetojnë për një javë ose më shumë por shanset për të gjetur të mbijetuar në temperatura të ulëta, reduktohen shumë.
6.500 punonjës shpëtimi nga 56 vende dhe anëtarë të 16 organizatave ndërkombëtare i janë bashkuar personelit lokal të emergjencës në përpjekjet e shpëtimit. Por shkalla e shkatërrimit nga tërmeti dhe pasgoditjet e tij të fuqishme është aq e madhe dhe e përhapur në një zonë të gjerë sa që shumë njerëz ende presin ndihmë.
Top Channel