Spitalet në zonat më të prekura nga tërmeti janë të tejmbushura nga të plagosurit, raporton ekipi i Top Channel që ndodhet prej dy ditësh në Turqi.
Gazetari i Artur Bibe dhe operatorët, të cilët janë duke shkuar drejt një ndër zonave më të prekura të tërmetit, në Antakya, sjellin pamje të ambulancave të shumta që kalojnë në rrugët e Inskenderunit, të bllokuara nga kamionë dhe makina që transportojnë ndihma, apo njerëz që largohen drejt vendeve më të sigurta.
Ambulancat sjellin çdo moment njerëz të plagosur pranë spitaleve. Në mungesë të vendeve të lira, edhe ushtria po ndihmon duke hapur disa spitale fushorë, ku të plagosurit dërgohen për t’u dhënë ndihma e parë.
Mjekët po bëjnë të pamundurën që të shpëtohen sa më shumë jetë.
“Me dhjetëra ambulanca sjellin çdo moment njerëz këtu pranë spitaleve. Tani ndodhemi në Inskenderun. Aty ku sapo kaluan disa ambulanca me të plagosur. Spitalet në zonat e prekura janë tej mase të mbushura, nuk ka më spitale. Edhe ushtria ka hapur disa spitale fushorë dhe të gjithë të plagosurit dërgohen në vende të tjera, nuk janë spital por të paktën ka mundësi t’u jepet ndihma e parë. Të gjithë mjekët po bëjnë të pamundurën që të japin ndihmën e parë dhe të shpëtohen sa më shumë jetë të munden”, raporton gazetari Artur Bibe.
Top Channel