Një raport i OKB-së hedh dritë mbi ushtrinë kibernetike të Kim Jong Uns-it. Paratë që ata fitojnë duke grabitur online shkojnë për armët atomike dhe programin atomik të sundimtarit të Koresë së Veriut.
Sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara, Koreja e Veriut ka fituar vitin e kaluar nga kriminaliteti kibernetik më shumë se vitet e tjera, pikërisht me minimumin e 630 milionë dollarëve amerikanë. Kjo tregon se viti 2022 ka qenë atje “vit me rezultate rekord në vjedhjen e pasurive virtuale”, thuhet në një raport ekspertësh të OKB-së, bërë publik vetëm për njerëz të besuar, raport që ka mundur ta ketë dorë edhe agjencia gjermane e lajmeve, dpa.
Gjashtë vitet e kaluara, hakerat e futur në lojë nga qeveria kanë grabitur online gjithsej 1,2 miliardë dollarë. Paratë, që shpesh ruhen në mënyrë anonime si monedhë kripto, përdoren për financimin e armëve atomike dhe programit të raketave të Koresë së Veriut, të cilin sundimtari Kim Jong Un, ka vazhduar ta zhvillojë më tej.
Duke shkelur rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ky vend i izoluar ndërkombëtarisht, ka lëshuar në vitin 2022 të paktën 73 raketa balistike, 42 prej të cilave në katër muajt e fundit të vitit. Po ashtu janë vazhduar punimet në impiantin nëntokësor atomik në Punggye.
Gjithnjë të sofistikuar
Sulmet kibernetike të Koresë së Veriut bëhen mes të tjerash nga grupi shtetëror i hakerave “Lazarus” dhe nëngrupet e tij. Gjithnjë vërehen sulme të sofistikuara ransomwar. Gjatë këtyre sulmeve hakerat ndërhyjnë në sistemet kompjuterike, marrin në duar kontrollin dhe bllokojnë përdoruesit e ligjshëm. Zakonisht bëhet kodimi i të dhënave dhe pasi paguhet një shumë e caktuar parash, ato lihen sërish të lira.
Sipas raportit të OKB, një metodë tjetër që përdorin hakerat është infektimi me software dëmtues i organizatave që janë aktive në biznesin me kripto-monedhat, për të arritur në kapjen e transferimit të parave.
Përveç kësaj grupi i hakerave ka regjistruar në kuadër të fushatës, domains të falsifikuar që imitojnë bankat me emër dhe firmat e kapitalit sipërmarrës, thuhet më tej. Koreja e Veriut ka bërë po ashtu përpjekje që të vjedhë nëpërmjet sulmeve phishing, të ashtuquajturat NFTs (“Non-fungible Token”). Me anë të tyre, përmbajtjet digjitale mund të pajisen me një çertifikatë të këmbyeshme dhe të markohen si përmbajtje origjinale, gjë që bën që vlera e tyre të rritet shumë. /DW
Top Channel