Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së enjtes procedurën e emërimit të një nëndrejtori shkolle në Fierzë, Tropojë.

Në redaksinë e emisionit investigativ mbërritën informacione për z.Alfred Alfredajn, i cili ka qenë i dënuar vite më parë për shpërdorim detyre. Fiksi siguroi vendimin e Gjykatës së Tropojës, të dhënë në vitin 2014, ku bën fjalë se Alfredaj ka qenë drejtor i Shkollës “Tinka Kurti” në Lekbibaj Tropojë.

“Nga materiali kallëzues i policisë gjyqësore pranë Drejtorisë së Policisë Qarku Kukës, janë siguruar informacione se në shkollën e mesme të përgjithshme ‘Tinka Kurti’, Lekbibaj, shtetasit H.Osmaj, S.Steaj dhe B.Zefi, janë pajisur me diploma të shkollës së mesme pa qenë rregullisht nxënës në këtë shkollë gjatë vitit shkollor 2012-2013. Nga materiali hetimor rezulton se regjistri i maturës së vitit shkollor 2012-2013 është humbur”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Më tej sqarohet se është pyetur drejtori i kësaj shkolle, Alfred Alfredaj dhe ka sqaruar se ky regjistër është vjedhur në vitin 2013 pasi ka pasur një rast të vjedhjes së materialeve të shkollës regjistra dhe kompjuteri. “Nga materiali i policisë rezulton se Alfredaj ka paraqitur kallëzim penal vetëm për vjedhjen e kompjuterëve, ndërsa nuk ka dëshmuar as kallëzuar në lidhje me vjedhjen e regjistrave. Janë pyetur disa shtetas, mësues në shkollë, të cilët kanë deklaruar se nuk i njohin nxënësit dhe nuk ju kanë dhënë asnjëherë mësim dhe nuk është se këta nxënës  kanë pasur të regjistruar ndonjëherë emrin në regjistrat e kësaj shkolle”, vijon vendimi. Në përfundim, Gjykata e dënoi Alfredaj me 1 vit në shërbim prove, me akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Disa vite pas këtij vendimi, Fiks Fare ka mësuar se Alfred Alfredaj është emëruar nëndrejtor i shkollës së mesme në Fierzë, Tropojë. Procedura e emërimit është bërë në kundërshtim me një udhëzim, i vitit 2013 të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Udhëzimi bën fjalë për procedurat e emërimit dhe shkarkimit të nëndrejtorit të institucionit arsimor publik. Në një nga pikat e këtij udhëzimi shkruhet se kriter është të mos ketë masa administrative apo penale. Madje, të deklarojë çdo masë apo edhe dënim penal.

Gazetarët e Fiksit shkojmë në shkollë, ku takojnë drejtoreshën e cila thotë se Alfredaj është emëruar nëndrejtor në vitin 2020. Pyetjes nëse është nëndrejtor, ajo na thotë se është mësues. “Emërimi është bërë nga ZVA Tropojë. Letrat dhe të gjitha procedurat janë bërë nga ZVA“, thotë drejtoresha.

Ndërkohë, gazetarët kërkuan që të takonin z.Alfredaj. Pas disa minutash, ai pranon që të japë intervistë dhe të shpjegojë të gjithë situatën. “Jam emëruar nëndrejtor në vitin 2020 nga Zyra Arsimore e Tropojës” pohon Alfredaj. Ndërkohë, pyetjes nëse ka qenë apo jo i dënuar, ai thotë se po. “Akuza ka qenë e montuar, nxënësit shkonin po vetëm i kemi toleruar për 1 vit. Por këtë vendimin e kam marrë dhe vuajtur. Më kanë pezulluar 8 muaj në 2014-ën“, thotë ai.

Fiksi e pyeti se nga cili institucion u emërua nëndrejtor. “Jam emëruar nga ZVA, kam dërguar dokumentet dhe më kanë komanduar nga ZVA-ja nëndrejtor shkolle” thotë ai. Por, disa muaj më parë, ai është larguar nga ai pozicion dhe aktualisht punon vetëm si mësues i edukimit fizik.

Gazetarët interesohen edhe në Zyrën Vendore të Arsimit në Tropojë, por drejtoresha Shotë Bashaj nuk ndodhej në zyrë, pasi ishte me pushime jashtë vendit. Fiksi bisedoi me juristin, Dorian Ismalaj. Pyetjeve se kush e emëroi nëndrejtor Alfredaj, ai tha se “juristi i ZVA-së as nuk bën emërime, as shkarkime”. Por kur pyetet se juristi duhet të shohë dokumentet dhe se emërimi përputhet apo jo me kriteret. “Po ka dëshmi penaliteti se s’ka qenë i dënuar”, vijon ai, teksa gazetarët e pyesin se përse nuk i kanë evidentuar vendimin e gjykatës. “Nuk ka qenë i dënuar” thotë për çudi juristi.

Por kur mëson se ka një vendim gjykate dhe se Alfredaj e pranoi vetë pohon se “po shumë mirë i nderuar, në qoftë se ashtu … ai ka përgjegjësi personale jo kolektive. Unë e them që e kam të pastër dëshminë e penalitetit i nderuar“. Megjithatë, ZVA Tropojë duhet që të hapte arkivën dhe të shihte nëse ka apo jo ndonjë masë administrative apo penale për këtë person. “Nuk kam qenë në punë unë atëherë, nuk kam qenë. S’kam dijeni! Unë po të tregoj se është dëshmia e penalitetit dhe e ka pas të pastër dhe vazhdon ta ketë të pastër” përfundon juristi, teksa në fund mbyll edhe telefonin.

FOTO GALERI
1/8

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA