Volodymyr Zelensky udhëton sot drejt Mbretërisë së Bashkuar, vizita e tij e parë në këtë shtet që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës një vit më parë.

Gjatë kësaj ndalese surprizë, presidenti ukrainas do të pritet nga kryeministri britanik Rishi Sunak, do të vizitojë trupat ukrainasë që trajnohen nga forcat britanike e do t’i drejtohet me një fjalim parlamentit.

Kjo është vizita e dytë e tij jashtë kufijve që prej fillimit të agresionit rus, pas udhëtimit që zhvilloi në dhjetor në Washington DC.

Pikërisht në ditën e vizitës së tij, qeveria britanike njoftoi se trajnimi që u bën forcave ukrainase do të zgjerohet dhe në stërvitje do të përfshihen edhe pilotët e avionëve luftarakë dhe marinsat. Zelensky iu drejtua ligjvënësve britanikë në marsin e vitit të kaluar, përmes një lidhjeje-video nga Kievi.

Në kryeqytetin ukrainas sakaq mbërriti ministri i ri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius, i cili tha se duhet të pajisen të paktën tre batalione deri në tremujorin e parë ose të dytë të vitit të ardhshëm. Dorëzimi do të bëhet në faza. Deri në verë, duhet të dorëzohen 20-25 tanke, dhe deri në fund të vitit rreth 80 tanke.

Pistorius nuk specifikoi se cilat vende evropiane, përveç Gjermanisë, do të përfshiheshin në dërgimin e tankeve. Më herët, revista “Der Spiegel” raportoi se në fillim të javës Këshilli Federal i Sigurimit autorizoi dërgimin në Ukrainë të 178 tankeve Leopard 1 nga stoqet industriale.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA