Një shtetas anglez 41-vjeçar dhe pesë shtetas turq të moshës nga 19 – 31 vjeç u arrestuan në portin detar të Durrësit gjatë një operacioni policor të koduar “Pasaporta”.

Shtetasi anglez Joshua Smith u kap në territorin e portit duke i transportuar me një automjet që drejtohej prej tij shtetasit turq që synonin kalimin e kufirit me tragete drejt Italisë, në kundërshtim me ligjin. Gjatë kontrollit, të ushtruar mbi bazën e analizës së riskut, rezultoi se shtetasit turqit do të dilnin nga vendi ynë, duke përdorur pasaporta bullgare të falsifikuara të cilat dyshohet se ua kishte siguruar 41-vjeçari anglez, kundrejt pagesës.

Vitet e fundit është shtuar ndjeshëm numri i shtetasve të huaj, kryesisht nga Turqia dhe vendet e Lindjes të cilët e përdorin Shqipërinë si trampolinë për të kaluar në vendet e Bashkimit Europian, pasi kanë siguruar më parë pasaporta false bullgare kundrejt dhënies së ryshfetit, në shumat 2500-5000 euro.

Gjatë operacionit policor nga policia kufitare e Durrësit, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë së policisë së qarkut u arrestuan shtetasi anglez dhe 5 shtetasit turq të cilët do të dalin para gjykatës për të caktuar masën e sigurimit personal për periudhën gjatë të cilës prokuroria do të hetojë për të mbështetur akuzat e ngritura ndaj tyre për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

Të arrestuarit janë Joshua Smith dhe shtetasit turq Mehmet Komesogutlu, Mehmet Delice, Ali Atmaca, Hasan Karaoglan dhe Mehmet Hamurkesen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA