Pamjet e siguruara nga Top Channel kanë fiksuar momentet e kërkim shpëtimit në terren nga skuadra shqiptare në ndihmë të kolegëve të tyre turq.

Për momentin, ekipi shqiptar është stacionuar në qytetin Malatya.

Kolonel Elton Reso, i cili drejton  punën në terren në një bisede telefonike me Top Channel, tregon përpjekjet për të shpëtuar jetë dhe një rast mundën t’ia dalin.

“Ekipi shqiptar në ato momente kishte ndërhyrë në rrënojat e kësaj ndërteseje dhe aty dëgjuan zhurmë. Ndërhynë nëpërmjet kamerave termike. Vumë re që ishte një person i gjallë. Së bashku me forcat turke, ndërhymë menjëherë duke hequr gërmadhat dhe arritëm të gjenim një fëmijë që ishte i moshës rreth katër vjeç, i lënduar nga gjendja shëndetësore. U nxorr nga rrënojat, personeli ynë ndërhyri dhe dhe transportuan me ambulancë drejt spitalit të qytetit të Malatyas“, thotë koloneli.

Kolonel Reso, i pyetur për mundësinë e gjetjes të të tjerë personave të mbijetuar nën rrënoja thotë:

“Ne jemi përsëri në Malatya sot, në një zonë tjetër. Është një pallat gjashtë katësh, i cili është rrënuar i plotë, që sipas të dhënave të të afërmve, mendohet që ka rreth 25 persona nën rrënoja. Ka filluar puna që dje në orën 5 të pasdites dhe vazhdon me intensitet. Shpresojmë, shpresa na mban. Ekipet tona po punojnë edhe me kamerat termike. Deri tani, nuk ka asnjë shenjë që mund të ketë persona të gjallë”.

Sakaq, një ekip i dytë me personel mjekësor dhe forca ushtarake të specializuara në operacione kërkim shpëtimi, ka mbërritur paraditen e të mërkurës në Turqi.

Në kushte tejet të vështira për shkak të rrënojave të ndërtesave të larta, por edhe motit me temperatura të ulëta, efektivët e Forcave të Armatosura po punojnë pa pushim për nxjerrjen e të mbijetuarve apo trupave të viktimave që humbën jetën nga tërmeti i së hënës.

Pjesëtarët e ekipit tonë shëndetësor kanë asistuar edhe në dhënien e ndihmës shëndetësore për dhjetëra persona të lënduar.

Kolonel Elton Reso

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA