Qeveria angleze vijon rutinën e përjavshme të dëbimit të shqiptarëve përmes avionëve të dedikuar charter.
Një burim nga Drejtoria e Kufirit dhe Emigracionit në Policinë e Shtetit i tha Top Channel se avioni i sotëm që ka mbërritur në Rinas rreth orës 11:45, solli 28 shqiptarë.
I njëjti burim, tregoi se disa prej të dëbuarve kishin mbërritur ilegalisht me gomone.
Ndërsa pjesa tjetër janë shqiptarë, të cilët kishin përfunduar dënimet në burgjet angleze dhe ishin të padokumentuar. Disa prej tyre kanë vuajtur dënimin për ngacmime seksuale, pengmarrje dhe shitje kokaine. Në total, ata kishin vuajtur 48 vite burg.
Javën e shkuar, mediat angleze raportuan se gjatë vitit 2022 u dëbuan nga Anglia për në Shqipëri 888 shqiptarë, një numër sipas tyre më i ulët krahasuar me vitin 2021.
Top Channel