Presidenti Biden: SHBA do të veprojë me vendosmëri përballë agresionit rus e kinez

08/02/2023 16:11

Presidenti Joe Biden foli drejtpërdrejt me popullin amerikan dhe një Kongres të ndarë mbrëmjen e së martës, në fjalimin e tij mbi gjendjen e vendit. Rritja e tensioneve me Kinën dhe vazhdimi i luftës në Ukrainë ishin çëshjet kryesore të politikës së jashtme.

Fjalimi i Presidentit Joe Biden mbi gjendjen e vendit, vjen në një kohë tensionesh të thelluara me Kinën. Përplasja më e fundit erdhi për shkak të një balone që fluturoi për disa ditë mbi hapësirën ajrore amerikane, e që dyshohet se është përdorur për spiunazh. Çështja tërhoqi vëmendjen e ligjvënësve dhe amerikanëve të zakonshëm.

Pa e përmendur në mënyrë specifike balonën, zoti Biden u përpoq të qetësonte amerikanët, ndërsa përcolli një mesazh për Kinën.

“Jam i përkushtuar të punoj me Kinën aty ku mund të avancojnë interesat amerikane dhe bota të përfitojë. Por mos u gaboni, siç e bëmë të qartë javën e kaluar, nëse Kina kërcënon sovranitetin tonë, ne do të veprojmë për të mbrojtur vendin tonë. Dhe ne e bëmë.”

Të shtunën, një avion luftarak amerikan rrëzoi balonën mbi oqeanin Atlantik në brigjet e Karolinës së Jugut. Kina e ka quajtur “të papranueshme” rrëzimin e balonës dhe një “reagim të tepruar”.

Disa republikanë e kritikuan zotin Biden se nuk urdhëroi rrëzimin e balonës më herët teksa ajo vazhdonte të fluturonte në të gjithë vendin. Ata mund të kërkojnë një qëndrim më të ashpër ndaj Kinës, thotë për Zërin e Amerikës Michael Kugelman me Qendrën Wilson.

“Ai nuk mbajti një qëndrim të ashpër, duke lënë hapësirë për pajtim. Nuk mendoj që pjestarët e Kongresit që dëshironin një qëndrim më të ashpër do të ishin të kënaqur me atë që tha presidenti në fjalim”.

Presidenti Biden foli gjithashtu lidhur me luftën në Ukrainë. Shtetet e Bashkuara kanë dhënë mbi 27 miliardë dollarë ndihma për sigurinë në Ukrainë. Presidenti Biden tha se agresioni i Presidentit Vladimir Putin një vit më parë ishte një provë që Amerika e tejkaloi.

“Ne bashkuam NATO-n dhe ndërtuam një koalicion global. Ne qëndruam kundër agresionit të Putinit. Ne qëndruam me popullin ukrainas. Sonte na bashkohet edhe një herë ambasadorja e Ukrainës në Shtetet e Bashkuara. Ajo përfaqëson jo vetëm vendin e saj, por edhe kurajon e popullit të saj.”

Disa republikanë kanë qenë skeptikë lidhur me ndihmën ushtarake për Ukrainën. Megjithatë republikanët përfshirë Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, dukej se mbështetën qëndrimet e zotit Biden.

Elizabeth Shackelford e Këshillit të Çikagos për Çështjet Globale, thotë për Zërin e Amerikës se mbështetja republikane u duk qartë.

“Vura re më shumë mbështetje nga ana republikane kur ai fliste për Ukrainën, veçanërisht në momentin kur ai tha, ‘ne jemi aty për aq kohë sa duhet’. Kemi dëgjuar republikanë të jenë shprehur se nuk do të mbështesnin një çek të bardhë për Ukrainën”.

Përveç luftës në Ukrainë dhe një udhëtimi të planifikuar prej kohësh në Azi, Presidenti Biden po planifikon vizitën e parë në Afrikën Nënsahariane nga një president amerikan që nga viti 2015.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA